Mateu 5
5
1Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij.
2Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë:
3''Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
4Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
5Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.
6Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.
7Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.
8Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.
9Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.
10Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
11Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.
12Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''.
13''Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t'u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.
14Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.
15Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babune, por për ta vënë mbi shandan, dhe t'u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.
16Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej''.
17''Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t'i shfuqizuar, po për t'i plotësuar.
18Sepse në të vërtetë ju them: Derisa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.
19Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t'u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t'i vërë në praktikë dhe do t'ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.
20Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
21Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t'i nënshtrohet gjyqit";
22por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t'i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka", do t'i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t'i thotë: "Budalla", do t'i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.
23Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje,
24lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.
25Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg.
26Në të vërtetë të them se nuk do të dalësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit.
27Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën".
28Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.
29Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt;
30dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt.
31Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t'i japë letrën e ndarjes".
32Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.
33Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit".
34Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë,
35as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.
36Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku;
37Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.
38Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb".
39Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën,
40dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.
41Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të.
42Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t'i japësh atij që të kërkon hua.
43Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd".
44Por unë po ju them: "Duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,
45për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.
46Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
47Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
48Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej''.
Nu geselecteerd:
Mateu 5: ALBB
Markering
Deel
Kopiëren
Wil je jouw markerkingen op al je apparaten opslaan? Meld je aan of log in