Jobi 7
7
1"A nuk kryen vallë një punë të rëndë njeriu mbi tokë dhe ditët e tij a nuk janë si ditët e një argati?
2Ashtu si skllavi dëshiron fort hijen dhe ashtu si argati pret mëditjen e tij,
3kështu edhe mua më ranë muaj fatkeqësie dhe m'u caktuan net me dhembje.
4Sa shtrihem, them: "Kur do të ngrihem?". Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim.
5Mishi im është i mbuluar me krimba dhe me buca dheu, lëkura ime plasaritet dhe është bërë e pështirë.
6Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i një endësi dhe po harxhohen pa shpresë.
7Kujto që jeta ime është një frymë; syri im nuk do të shohë më të mirën.
8Syri i atij që më shikon nuk do të më shohë më; sytë e tu do të jenë mbi mua, por unë nuk do të jem më.
9Ashtu si reja davaritet dhe nuk duket më, kështu ai që zbret në Sheol nuk kthehet më;
10nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij, dhe banesa e tij nuk do ta njohë më.
11Prandaj nuk do ta mbaj gojën të mbyllur do të flas në ankthin e frymës time; do të ankohem në hidhërimin e shpirtit tim.
12A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje?
13Kur unë them: "Shtrati im do të më japë një lehtësim, shtroja ime do ta zbusë dhembjen time",
14ti më tremb me ëndrra dhe më tmerron me vegime;
15kështu shpirtit tim i parapëlqen të mbytet dhe të vdesë se sa të bëjë këtë jetë.
16Unë po shpërbëhem; nuk kam për të jetuar gjithnjë; lërmë të qetë; ditët e mia nuk janë veçse një frymë.
17Ç'është njeriu që ti ta bësh të madh dhe të kujdesesh për të,
18dhe ta vizitosh çdo mëngjes duke e vënë në provë në çdo çast?
19Kur do ta heqësh shikimin tënd nga unë dhe do të më lësh të përcjell pështymën time?
20Në rast se kam mëkatuar, çfarë të kam bërë ty, o rojtar i njerëzve? Pse më ke bërë objekt të goditjeve të tua, aq sa i jam bërë barrë vetes sime?
21Pse nuk i fal shkeljet e mia dhe nuk e kapërcen paudhësinë time? Sepse shpejt do të jem pluhur; ti do të më kërkosh, por unë nuk do të jem më".
Nu geselecteerd:
Jobi 7: ALBB
Markering
Deel
Kopiëren
Wil je jouw markerkingen op al je apparaten opslaan? Meld je aan of log in