Jobi 6
6
1Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
2"Ah, sikur dhembja ime të ishte peshuar tërësisht, dhe fatkeqësia ime të vihej bashkë mbi peshoren,
3do të ishte me siguri më e rëndë se rëra e detit! Për këtë arsye fjalët e mia nuk u përfillën.
4Duke qenë se shigjetat e të Plotfuqishmit janë brenda meje, shpirti im ua pi vrerin; tmerret e Perëndisë janë renditur kundër meje.
5Gomari i egër a pëllet vallë përpara barit, ose kau a buluron para forazhit të tij?
6A hahet vallë një ushqim i amësht pa kripë, apo ka ndonjë farë shije në të bardhën e vezës?
7Shpirti im nuk pranon të prekë gjëra të tilla, ato për mua janë si një ushqim i neveritshëm.
8Ah sikur të mund të kisha atë që kërkoj, dhe Perëndia të më jepte atë që shpresoj!
9Dashtë Perëndia të më shtypë, të shtrijë dorën e tij dhe të më shkatërrojë!
10Kam megjithatë këtë ngushëllim dhe ngazëllehem në dhembjet që nuk po më kursehen, sepse nuk i kam fshehur fjalët e të Shenjtit.
11Cila është forca ime që ende të mund të shpresoj, dhe cili është fundi im që të mund ta zgjas jetën time?
12Forca ime a është vallë ajo e gurëve, ose mishi im është prej bronzi?
13A s'jam fare pa ndihmë në veten time, dhe a nuk është larguar nga unë dituria?
14Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri, edhe në qoftë se ai braktis frikën e të Plotfuqishmit.
15Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken.
16Ato turbullohen për shkak të akullit dhe në to fshihet bora,
17por gjatë stinës së nxehtë ato zhduken; me vapën e verës ato nuk duken më në vendin e tyre.
18Ato gjarpërojnë në shtigjet e shtretërve të tyre; futen në shkretëtirë dhe mbarojnë.
19Karvanet e Temas i kërkojnë me kujdes, udhëtarët e Shebës kanë shpresa tek ata,
20por ata mbeten të zhgënjyer me gjithë shpresat e tyre; kur arrijnë aty mbeten të hutuar.
21Tani për mua ju jeni e njëjta gjë, shikoni tronditjen time të thellë dhe keni frikë.
22A ju kam thënë vallë: "Më jepni diçka" o "më bëni një dhuratë nga pasuria juaj",
23ose "liromëni nga duart e armikut", ose "më shpengoni nga duart e personave që përdorin dhunën"?
24Më udhëzoni, dhe do të hesht; më bëni të kuptoj ku kam gabuar.
25Sa të frytshme janë fjalët e drejta! Por çfarë provojnë argumentet tuaja?
26Mos keni ndërmend vallë të qortoni ashpër fjalët e mia dhe fjalimet e një të dëshpëruari, që janë si era?
27Ju do të hidhnit në short edhe një jetim dhe do të hapnit një gropë për mikun tuaj.
28Por tani pranoni të më shikoni, sepse nuk do të gënjej para jush.
29Ndërroni mendim, ju lutem, që të mos bëhet padrejtësi! Po, ndërroni mendim, sepse bëhet fjalë për drejtësinë time.
30A ka vallë paudhësi në gjuhën time apo qiellza ime nuk i dallon më ligësitë?".
Nu geselecteerd:
Jobi 6: ALBB
Markering
Deel
Kopiëren
Wil je jouw markerkingen op al je apparaten opslaan? Meld je aan of log in