Zanafilla 3
3
Mosbindja e Adamit dhe e Evës
1Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që Zoti Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?». 2Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë, 3por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”». 4Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo, 5sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen».
6Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve.
8Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi mes pemëve të kopshtit.
9 Zoti Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?». 10Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha». 11Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?». 12Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra». 13Zoti Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra».
14 Zoti Perëndi i tha gjarprit:
«Për këtë që bëre,
mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra.
Mbi bark do të zvarritesh
e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde.
15Armiqësi do të shtie mes teje e gruas,
mes farës tënde e farës së saj
që do të ta shtypë kokën,
ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën».
16Gruas i tha:
«Shumë dhimbje barre do të të jap
e me mundim do t'i lindësh fëmijët.
Burrin tënd do ta dëshirosh,
por ai do të sundojë mbi ty».
17Adamit i tha:
«Meqë dëgjove gruan
e hëngre nga pema
që të urdhërova
të mos hash,
mallkuar qoftë toka për shkakun tënd!
Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate.
18Gjemba e ferra do të prodhojë për ty
e bimët e fushës do të hash.
19Me djersën e ballit
do ta nxjerrësh bukën e gojës
derisa të kthehesh në dhe,
se prej tij u nxore,
pluhur je
e në pluhur do të kthehesh».
20Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve. 21Zoti Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata.
22Pastaj Zoti Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë». 23Prandaj Zoti Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor. 24E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët#3.24 ose: kerubimët; kerubinët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës.
S'ha seleccionat:
Zanafilla 3: AL1
Subratllat
Comparteix
Copia
Vols que els teus subratllats es desin a tots els teus dispositius? Registra't o inicia sessió
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020