YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 11

11
1Por tërë toka fliste të njëjtën gjuhë dhe përdorte të njëjtat fjalë.
2Dhe ndodhi që, ndërsa po zhvendoseshin në drejtim të jugut, ata gjetën një fushë në vendin e Shinarit dhe u vendosën atje.
3Dhe i thanë njëri-tjetrit: "O burra, të bëjmë tulla dhe t'i pjekim me zjarr!". Dhe përdorën tulla në vend të gurëve dhe bitum në vend të llaçit.
4Dhe thanë: "O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t'i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut".
5Por Zoti zbriti për të parë qytetin dhe kullën që bijtë e njerëzve ishin duke ndërtuar.
6Dhe Zoti tha: "Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t'i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë.
7O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit".
8Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.
9Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.
10Këta janë pasardhësit e Semit. Në moshën njëqind vjeç Semit i lindi Arpakshadi, pikërisht dy vjet pas përmbytjes.
11Mbas lindjes të Arpakshadit, Semi jetoi pesëqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.
12Arpakshadi jetoi tridhjetë e pesë vjet dhe i lindi Shelahu.
13Mbas lindjes së Shelahut, Arpakshadi jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.
14Shelahu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Eberi.
15Mbas lindjes së Eberit, Shelahu jetoi katërqind e tre vjet dhe i lindën bij dhe bija.
16Eberi jetoi tridhjetë e katër vjet dhe lindi Pelegu.
17Mbas lindjes së Pelegut, Eberi jetoi katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
18Pelegu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Reu.
19Mbas lindjes të Reut, Pelegu jetoi dyqind e nëntë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
20Reu jetoi tridhjetë e dy vjet dhe i lindi Serugu.
21Mbas lindjes të Serugut, Reu jetoi dyqind e shtatë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
22Serugu jetoi tridhjetë vjet dhe i lindi Nahori;
23mbas lindjes së Nahorit, Serugu jetoi dyqind vjet dhe i lindën bij dhe bija.
24Nahori jetoi njëzet e nëntë vjet dhe i lindi Terahu;
25mbas lindjes së Terahut, Nahori jetoi njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën bij dhe bija.
26Terahu jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Abrami, Nahori dhe Harani.
27Këta janë pasardhësit e Terahut. Terahut i lindi Abrami, Nahori dhe Harani; dhe Haranit i lindi Loti.
28Harani vdiq në prani të Terahut, babait të tij, në vendlindjen e tij, në Ur të kaldeasve.
29Dhe Abrami dhe Nahori morën gra: emri i gruas së Abramit ishte Saraj dhe emri i gruas së Nahorit ishte Milkah, e bija e Haranit, i ati i Milkahut dhe i ati i Iskahut.
30Por Saraj ishte shterpë, nuk kishte fëmijë.
31Pastaj Terahu mori të birin Abram dhe Lotin, të birin e Haranit, domethënë djali i të birit, dhe Sarajn nusen e tij, gruaja e djalit të tij Abram, dhe dolën bashkë nga Uri i kaldeasve për të vajtur në vendin e kanaanenjve; por kur arritën në Haran, ata u vendosën aty.
32Terahu jetoi dyqind e pesë vjet, pastaj Terahu vdiq në Haran.

Currently Selected:

Zanafilla 11: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in