Marku 6
6
Mosbesimi i të vetve
1Jezusi u largue prej andej e shkoi në vendlindje. Edhe nxanësit e vet e ndoqën. 2Kur erdhi e shtuna, filloi me mësue në sinagogë dhe shumë vetë, tue ndigjue, mrekulloheshin e thoshin: «Po këto nga i vijnë? Çka asht kjo dije që i asht dhanë e këto fuqi që dalin prej duerve të tij? 3A nuk asht ky zdrukthtari, i biri i Marisë, vllai i Jakobit, i Josesë, i Judës e i Simonit? A nuk janë motrat e tij këtu ndër ne? E pengoheshin në të».
4Atëhetë Jezusi u tha: «Profeti nuk asht i panderuem, përpos në vendlindjen e vet, në fisin e vet e në shtëpinë e vet». 5E nuk mund me ba atje asnji vepër të fuqishme, përveçse vuni duert mbi pak të smundë e i shëroi. 6E habitej prej mosbesimit të tyne.
Dërgimi i të dymbëdhjetëve
Atëherë u soll nëpër fshatnat përreth tue mësue të tjerët. 7Mandej thirri të dymbëdhjetët, filloi me i dërgue dy nga dy e u dha pushtet mbi shpirtënt e padlirë. 8I urdhnoi mos me marrë kurrgja për rrugë, përveç nji shkopi të vetëm: as bukë, as torbë, as brezin e monedhave, 9por me mbathë sandale e mos me veshë dy palë petka. 10E u tha: «Në cilëndo shtëpi të hyni, rrini aty deri kur të dilni prej andej. 11Nëse ndonjë vend nuk ju pranon e nuk ju ndigjojnë, tue u nda prej andej, shkundni pluhunin përnan kambëve tueja si dëshmi për ta».
12Ata dolën e dhanë kumtin që njerëzit të ndërronin mendje. 13Nxirnin shumë djaj, lyenin me voj shumë të smundë e i shëronin.
Vdekja e Gjonit
14Mbreti herod kishte marrë vesh, se emni i tij ishte ba i njohun. Thoshin: «Gjon Pagëzuesi asht ngritë nga të vdekunit, prandaj veprojnë fuqitë në të». 15Por të tjerë thoshin: «Asht Elia». Të tjerë thoshin: «Asht profet si nji ndrë profetët». 16Herodi, kur ndigjoi, tha: «Gjoni, të cilit ia preva kryet, u ngrit».
17Se Herodi vetë kishte dërgue njerëz për me e kapë Gjonin e me e lidhë në burg, për shkak të Herodiadës, grues së Filipit, të vllait të vet, se ai ishte martue me të. 18Gjoni i thoshte Herodit: «Nuk të lejohet me mbajtë gruen e vllait tand».
19Herodiada e urrente dhe donte me e vra, por nuk mundte 20se Herodi e kishte frikë Gjonin, tue njohë si njeri të drejtë e të shejtë, prandaj e mbronte. Kur e ndigjonte, vagllohej fort, por ia kishte anda me e ndigjue.
21Por rasti doli nji ditë, kur Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi nji gosti për rangun e vet, për kryeushtarakët e për të parët e Galilesë. 22Kur bija e Herodiadës hyni e kceu, i pëlqeu Herodit e gostarëve të tij. Atëherë mbreti i tha vogëlushes: «Më lyp çka të duesh e do të ta jap». 23E i bani be të madhe: «Çkado të më lypësh do të ta jap. Deri edhe gjysën e mbretnisë time».
24Ajo doli e i tha nanës së vet: «Çka të lyp?».
Iu përgjigj: «Kryet e Gjon Pagëzuesit».
25Ajo u kthye menjiherë me ngut të mbreti e lypi tue thanë: «Due me më dhanë fill në pjatë kryet e Gjon Pagëzuesit».
26Mbreti u trishtue shumë për benë por, për shkak të bujtësve, nuk deshi me e kthye. 27Atëherë mbreti dërgoi menjiherë nji roje e urdhnoi me ia sjellë kryet. Ai shkoi e ia preu kryet në burg. 28Ia solli kryet në pjatë, ia dha vogëlushes e vogëlushja ia dha së amës.
29Kur nxanësit e Gjonit morën vesh, erdhën, morën trupin dhe e shtien në vorr.
Dy bukë e pesë peshq
30Apostujt u mblodhën te Jezusi dhe i treguen gjithçka që kishin ba e u kishin mësue të tjerëve. 31Ai u tha: «Ejani ju vetë për vete në një vend të vetmuem e pushoni pak». Se ishin të shumtë ata që vinin e shkonin e nuk u dilte rasti as me ngranë. 32Dhe u larguen me varkë drejt nji vendi të pabanuem, vetëm. 33Pos shumë vetë, kur i panë tue u largue, i dalluen, vrapuen atje bashkë e mbërritën para atyne.
34Kur zbriti, pa nji turmë të madhe e u prek prej tyne, se ishin si delet që nuk kanë bari, prandaj filloi me u mësue shumë gjana.
35Kur tashma ishte ba orë e vonë, nxanësit iu afruen e thanë: «Vendi asht i pabanuem e tashma shkoi ora vonë. 36Nisi ata, që të shkojnë te bujqit përreth e nëpër fshatna të blejnë me ngranë për vete». 37Ai iu përgjigj: «Jepuni ju me ngranë». Ata i thanë: «A të shkojmë me ble dyqind denarë bukë e t'u japim me ngranë?» 38Por ai u tha: «Sa bukë keni? Shkoni e shihni». Mbasi e dinin, i thanë: «Pesë. Edhe dy peshq». 39Atëherë i urdhnoi me i shtrue të gjithë tok me tog në barin e gjelbërt. 40Atëherë u shtruen grupe-grupe nga njiqind e nga pesëdhjetë.
41Tue marrë pesë bukët e dy peshqit, pau nalt në qiell, u falënderue, i theu bukët e ua dha nxanësve, që t'ua shtronin para. Edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve.
42Të gjithë hangrën e u nginë 43dhe morën dymbëdhjetë shporta plot me copat e thyeme e me tepricat e peshqve.
44Ata që kishin ngranë bukët ishin pesëmijë burra.
Jezusi mbi ujë
45Mandej menjiherë i detyroi nxanësit e vet me hy në varkë e me shkue matanë para tij, në Betsaidë, ndërsa ai do të shpërndantë turmën. 46Mbasi u nda prej tyne, shkoi në mal me u lutë.
47Kur u ba vonë, varka ishte në mes të detit, ndërsa ai i vetëm në tokë. 48Tue pa se ata po stërmundoheshin tue vozitë, se kishin erën kundër, rreth rojës së katërt të natës vjen drejt tyne tue ecë përmbi det e deshi me kalue bri tyne. 49Por ata, kur e panë mbi det tue ecë, menduen se asht hije e bërtitën, 50se e panë të gjithë e u tmerruen. Por ai foli menjiherë me ta e u tha: «Gajret, jam unë. Mos u trembni». 51Mandej hipi në varkë te ata e pushoi era. Ishin tejet të çoroditun 52se nuk kishin kuptue gja për bukën, por e kishin zemrën të pandijshme.
Shërimet në Genesaret
53Kaluen përtej, mbërritën në tokë në Genesaret e lidhën varkën. 54Kur dolën nga lundra e njohën menjiherë 55dhe morën vrapin nëpër tanë atë krahinë e filluen me i mbartë të smundët mbi shtroja e me i sjellë kudo gjendej ai. 56Kudo të hynte, në fshatna, në qytete a në katunde, i vendosnin të mekunit nëpër sheshe e i luteshin me cekë vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e preknin shëroheshin.
Currently Selected:
Marku 6: DHRG
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania