Marku 2
2
Shërimi i të paralizuemit
1U kthye prapë në Kafarnaum, mbas disa ditësh. U ndëgjue se asht në shtëpi 2dhe u mblodhën shumë vetë, aq sa nuk kishte vend as para dere, dhe ai u fliste fjalën.
3Atëherë erdhën me sjellë te ai nji të paralizuem, që ishin tue e bartë katër vetë. 4Dhe, meqë nuk mund ta afronin te ai për shkak të turmës, shpuen pullazin aty ku ishte ai. Mbasi e hapën, ulën vigun, ku dirgjej i paralizuemi. 5Kur pa fenë e tyne, Jezusi i tha të paralizuemit: «Bir, të janë falë mëkatet». 6Aty gjendeshin disa prej shkruesve, që ishin ndenjun dhe arsyetonin në zemrën e vet: 7«Pse flet kështu ky? Po blasfemon. Kush mund t'i falë mëkatet përveç Hyjit?» 8Jezusi e pikasi menjëherë në shpirtin e vet se po arsyetonin ashtu e u tha: «Pse arsyetoni kësisoj në zemrat tueja? 9Çka asht ma kollaj: me i thanë të paralizuemit: "të janë falë mëkatet", apo me thanë: "çohu, merr vigun tand e ec!"? 10Por, që ta merrni vesh se biri i njeriut ka pushtetin me i falë mëkatet mbi dhè, - i thotë të paralizuemit - 11ty po të them: "çohu, merr vigun tand dhe shko në shtëpinë tande!"». 12Ai u çue, mori menjëherë vigun, doli para të gjithëve, aq sa të gjithë u habitën dhe lëvduen Hyun tue thanë: «Kësisoji nuk kemi pa kurrë».
Thirrja e Levit
13Atëherë doli prapë buzë detit. Mbarë turma u mlodh pranë tij dhe ai i mësonte. 14Kur po kalonte pranë, pa Levin e Alfeut, ndenjun tek tatimorja dhe i tha: «Me ndiq mue!». Me t'u ringritë, ai e ndoqi.
15Mirëpo ndodhi që ai u ul me hangër në shtëpinë e tij dhe shumë tagrambledhës e mëkatnorë ishin ulë me Jezusin e me nxanësit e tij, se ishin të shumtë ata që e ndiqnin.
16Kur shkruesit e farizejve panë se ai po hante me mëkatnorët e me tagrambledhësit, u thanë nxanësve të tij: «Ai po haka me tagramledhësit e me mëkatnorët!».
17Jezusi ndëgjoi e u tha: «Nuk kanë nevojë të fortët për mjek, por ata që kanë lëngata. Unë nuk erdha me thirrë të drejtët, por mëkatnorët».
Agjërimi
18Nxanësit e Gjonit dhe farisejtë ishin tue agjënue. Vijnë e io thonë: «Pse nxanësit e Gjonit dhe nxanësit e farisejve agjënojnë, por nxanësit e tu nuk agjënojnë?».
19Jezusi iu përgjigj: «Dasmorët nuk mund të agjënojnë derisa të jetë me ta dhandri. Për sa kohë të jetë me ta dhandri nuk mund të agjënojnë. 20Por do të vijnë ditët kur do t'u hiqet dhandri e atëherë do të agjënojnë, atë ditë.
21Askush nuk e qep arnën e një pëlhure të re në një petk të vjetër, se përndryshe mbushja shkyhet prej saj, e reja prej të vjetrës, dhe e shqyemja bahet ma e madhe.
22E askush nuk hedh venë të re në kacekë të vjetër, se përndryshe vena i plas kacekët dhe humbin edhe vena edhe kacekët».
E shtuna
23Ndodhi që një të shtunë ai po përshkonte një arë gruni dhe nxanësit e tij, tue ba udhë, filluen me këputë kallijtë. 24Atëherë farisejtë i thanë: «Shiko! Pse po bajnë çka nuk asht e lejueme të shtunën?». 25Dhe ai u tha: «A nuk e keni lexue çka bani Davidi, kur pati nevojë e ishte i uritun ai e ata që ishin me të? 26Si hyni në shtëpinë e Hyut, kur ishte kryeprift Abiatari, dhe hangri bukët e kushtimit, që nuk ka të drejtë t'i hajë askush përveç priftënve, dhe ua dha edhe atyne që ishin me të?».
27Atëherë u tha: «E shtuna asht ba për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën. 28Prandaj biri i njeriut asht Zot edhe i të shtunës».
Currently Selected:
Marku 2: DHRG
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania