Marku 10
10
Martesa dhe ndamja
1Atëherë u çue prej andej. Vjen në trojet e Judesë e përtej Jordanit dhe mblidhen prapë turmat pranë tij e ai, siç e kishte zakon, i mësonte.
2Erdhën disa farisej dhe e pyetën a i lejohet nji burri me e nda gruen. Ishin tue e vu në provë. 3Jezusi iu përgjigj: «Çka ju ka urdhnue Moisiu?».
4I thanë: «Moisiu na lejoi me shkrue nji letërlargim e me ba ndamjen».
5Por Jeyusi u tha: «Prej zemërngurtësisë suej jua shkroi këtë ligj, 6por prej fillimit të krijimit mashkull e femën i krijoi, 7prandaj njeriu len atin e vet e nanën, plekset me gruen e vet 8e do të jenë të dy nji mish. 9Prandaj çka Hyu bashkoi njeriu të mos e ndajë!».
10Kur ishin në shtëpi, nxanësit e pyetën prapë për këtë. 11Ai u tha: «Kush ndanë gruen e vet e martohet me nji tjetër, shkel kunorën kundër saj. 12Edhe nëse ajo ndan burrin e vet e martohet me nji tjetër, shkel kunorën».
Bekim i fëmijëve
13Atëherë i sollën disa fëmijë, që ai t'i prekte, por nxanësit iu hakërryen.
14Kur i pa, Jezusi u zemërue e u tha: «Mos i ndalni, se e të tillëve asht mbretnia e Hyut. 15Përnjimend po ju them, kush nuk e pranon mbretninë e Hyut fëmijë, nuk do të hyjë në të». 16Mandej i mori ngrykë e i bekoi tue vu duert mbi ta.
I pasuni
17Kur u nis për rrugë, nji njeri vrapoi, i ra në gjunj dhe e pyeti: «Mësues i mirë, çda do të baj për me trashëgue jetën e amshueme?».
18Por Jezusi i tha: «Pse po më thue i mirë? Askush nuk asht i mirë përveç Hyut, qlë asht nji. 19Ti i di urdhnimet: Mos vrit, mos the kunorën, mos vidh, mos bad dëshmi të rreme, mos zhvat, ndero atin tand e nanën».
20Ai i tha: «Mësues, këto të tana i kam mbajtë qysh në rini».
21Por Jezusi e kundroi, e deshi e i tha: «Nji gja ke mangut. Shko, shit çka ke e jepua të varfënve, atëherë do të kesh nji thesar në qiell. Mandje eja e më ndiq!».
22Por ai u zymtue prej kësaj fjale e u largue i trishtuem, se kishte shumë prona.
23Jezusi kqyri përreth e u tha nxanësve të vet: «Sa të vështirë e kanë me hy në mbretninë e Perëndisë ata që kanë pronësi!». 24Nxanësit u habitën me fjalët e tij, por Jezusi vijoi prapë e u tha: «Fëmijë, sa e vështirë asht me hy në mbretninë e Hyut! 25Ma të lehtë e ka deveja me kalue nëpër vrimën e gjilpanës se i pasuni me hy në mbretninë e Hyut».
26Ata u habitën e u çoroditën e i thoshin njani-tjetrit: «Epo kush mundet me u shpëtue?».
27Jezusi i kundroi e tha: «Prej njerëzve asht e pamundun, por jo prej Hyut, se gjithçka asht e mundun prej Hyut».
28Pjetri filloi me i thanë: «Ja, ne lamë gjithçka e të ndoqëm ty».
29Jezusi i tha: «Përnjimend po ju them, s'ka asnji të të ketë landë shtëpi, a vëllazën, a motra, a nanë, a atë, a fëmijë a ara për shkakun tim e për shkakun e lajmit të mirë 30e të mos marrë njëqindfish tash, me këtë rast, shtëpi e vëllazën, e motra e nana e fëmijë e ara me përndjekje e, në botën që asht tue ardhë, jetën e amshueme. 31Por shumë të parë do të jenë të fundit e të fundit të parët».
Lajmërimi i tretë e pashkëve
32Ishin tue u ngjitë udhës për në Jerusalem e Jezusi u printe. Ishin të habitun. Edhe ata që ndiqnin kishin frikë. Atëherë mori prapë të dymbëdhjetët e filloi me u tregue se çka do t'i ndodhte:
33«Ja, po ngjitemi në Jerusalem e biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftënve e shkruesve, të cilët do ta dënojnë me vdekje e do t'ua dorëzojnë kombeve. 34Do ta qesëndisin, do ta pështyjnë, do ta frushkullojnë e do ta vrasin. Mbas tri ditësh, do të ringrihet».
KĂ«rkesa e Gjonit dhe e Jakobit
35Atëherë iu afruen Jakobi e Gjoni, të bijtë e Zebedeut, e ti thanë: «Mësues, dëshirojmë të bash për ne çkado që të kërkojmë». 36Ai u tha: «Çka doni të baj për ju?». 37I thanë: «Ban që në lavdinë tande të ulemi nji në të djathtën e nji në të majtën tande». 38Por Jezusi u tha: «Nuk dini çka po kërkoni. A mundeni me e pi kupën që pi unë e me u zhytë në zhytjen ku zhytem unë?». 39Iu përgjigjen: «Mundemi». Por Jezusi u tha: «Kupën që pi unë do ta pini. Edhe në zhytjen ku zhytem unë do të zhyteni. 40Megjithatë, me ndenjtë në të djathtën time apo në të majtë nuk më takon mue ta caktoj, por u takon atyne për të cilët asht përgatitë».
41Kur të dymbëdhjetët e morën vesh, u idhnuen me Jakobin e Gjonin. 42Atëherë Jezusi i thirri e u tha: «Ju e dini se ata që duket sikur u prijnë kombeve, i vënë nën sundim e të mëdhenjtë e tyne i vënë nën pushtetin e vet. 43Por kjo nuk asht ndër ju. Përkundër, kush të dëshirojë me u ba i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juej 44e kush të dëshirojë me qenë i pari, të bahet skllavi i të gjithëve. 45Se Biri i njeriut nuk erdhi për me qenë i shërbyem, por për me shërbye e me dhanë jetën për shpagimin e shumicës».
Shërimi i Bartimeut
46Atëherë mbërritën në Jerikon, Kur ai po largohej nga Jerikoni me nxanësit e tij e me nji turmë e madhe, biri i Timeut, Bartimeu, lypës i verbët, rrinte ulun më anë të rrugës. 47Ai ndigjoi se po kalonte Jezus Nazaretasi e filloi me bërtitë tue thanë: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mue!». 48Shumë vetë e urdhnonin me heshtë, por ai bërtitte edhe ma shumë: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mue!».
49Jezusi u ndal e tha: «Thirreni!». E thërrasin tue io thanë: «Jepi, çohu, po të thërret!».
50Ai hoqi gunën, kërceu më kambë e shkoi te Jezusi.
51Jezusi vijoi e i tha: «Çka dëshiron të baj për ty?». I verbti iu përgjigj: «Rabbuni, të më kthehet shikimi!».
52Jezusi i tha: «Shko! Të shpëtoi feja». Menjiherë iu kthye shikimi dhe e ndoqi udhës.
Currently Selected:
Marku 10: DHRG
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania