YouVersion Logo
Search Icon

Zbulesa 16

16
Kupat e zemërimit
1Pastaj nga tempulli dëgjova një zë të lartë që u tha shtatë engjëjve: «Shkoni e derdhni në tokë shtatë kupat e zemërimit të Perëndisë».
2Engjëlli i parë shkoi dhe derdhi kupën e tij në tokë. Atëherë një plagë e keqe dhe e dhimbshme i zuri njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin shëmbëlltyrën e saj.
3Engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det dhe uji i detit u bë gjak si gjaku i të vdekurit dhe të gjitha gjallesat e detit ngordhën.
4Engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenjtë e në burimet e ujërave dhe ato u bënë gjak. 5Pastaj dëgjova engjëllin e ujërave që tha:
«I drejtë je ti, o i shenjtë, që je dhe që ishe,
sepse gjykove drejt.
6Ata derdhën gjak të shenjtësh e profetësh
dhe ti gjak u dhe për të pirë,
se e meritonin».
7Pastaj dëgjova një zë nga altari që tha:
«Po, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm,
të vërteta e të drejta janë gjykimet e tua».
8Engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi diell, të cilit iu dha pushtet të djegë njerëzit me zjarr. 9Njerëzit u dogjën nga nxehtësia e madhe dhe fyen emrin e Perëndisë që ka pushtetin mbi këto plagë, por nuk u penduan për t'i dhënë lavdi atij.
10Engjëlli i pestë e derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës. Atëherë mbretëria e saj u mbulua nga errësira dhe njerëzit kafshonin gjuhën nga dhimbja. 11Ata fyen Perëndinë e qiellit për dhimbjet e plagët, por nuk u penduan për veprat e tyre.
12Engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij mbi lumin e madh të Eufratit. Ujërat e lumit u thanë për të përgatitur udhën për mbretërit që vijnë nga lindja e diellit. 13Pastaj nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë pashë të dilnin tre shpirtra të këqij që ngjanin me bretkosa. 14Ata janë shpirtra djajsh, që bëjnë shenja dhe janë nisur për të mbledhur mbretërit e gjithë botës për betejën e ditës së madhe të Perëndisë së gjithëpushtetshëm.
15«Ja ku po vij si vjedhës! Lum ai që rri zgjuar e i ruan rrobat, që të mos ecë i zhveshur e të turpërohet në sytë e të gjithëve».
16Shpirtrat i mblodhën njerëzit në vendin që hebraisht quhet «Armagedon».
17Engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në ajër. Nga froni i tempullit doli një zë i lartë që tha: «U krye!». 18Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima dhe ra një tërmet i madh. Një tërmet i tillë nuk kishte rënë kurrë mbi tokë që nga krijimi i njeriut. Kaq i fortë qe tërmeti! 19Qyteti i madh u nda në tri pjesë, ndërsa qytetet e kombeve ranë. Perëndisë iu kujtua Babilonia e madhe dhe i dha asaj kupën e verës së zemërimit të tij të tmerrshëm. 20Ishujt lëvizën nga vendi, ndërsa malet nuk u panë më. 21Nga qielli filluan të binin mbi njerëzit kokrra të mëdha breshri të fortë që peshonin secila rreth dyzet kilogramë. Njerëzit fyen Perëndinë për plagën e breshrit, se ajo plagë ishte shumë e rëndë.

Currently Selected:

Zbulesa 16: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in