Zbulesa 14
14
Kënga e të shpërblyerve
1Pastaj pashë Qengjin që qëndronte mbi malin e Sionit. Bashkë me të ishin edhe njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që kishin të shkruar në ballë emrin e tij dhe emrin e Atit të tij. 2Atëherë dëgjova një zë nga qielli, që ngjante si ushtima e deteve dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe. Zëri që dëgjova ishte si tingulli që lëshon harpa kur i bien harpistët. 3Para fronit dhe para katër gjallesave e pleqve këndonin një këngë të re. Askush nuk mund ta mësonte këngën, përveç njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka. 4Këta janë ata që nuk u përlyen me gra, por mbetën të virgjër. Janë ata që shkojnë pas Qengjit, kudo ku ai shkon. Ata u shpërblyen prej njerëzve për të qenë frytet e para për Perëndinë dhe Qengjin. 5Nga goja e tyre nuk ka dalë asnjë gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm.
Lajmi i tre engjëjve
6Pastaj pashë një engjëll tjetër, që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte një ungjill të amshuar për t'u shpallur banorëve të tokës nga çdo komb, fis, gjuhë e popull. 7Ai tha me zë të lartë: «Druajeni Perëndinë dhe jepini lavdi, se erdhi ora e gjykimit të tij. Adhurojeni atë që bëri qiellin e tokën, detin dhe burimet e ujërave!».
8Një engjëll tjetër erdhi pas të parit e tha: «Ra, ra Babilonia e madhe, ajo që dehu gjithë kombet me verën e zemërimit të kurvërisë së saj».
9Një engjëll i tretë erdhi pas tyre e tha me zë të lartë: «Kush adhuron bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe merr damkën në ballë e në dorë, 10do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është e papërzier në kupën e zemërimit të tij. Ai do të mundohet me zjarr e squfur para engjëjve të shenjtë dhe para Qengjit.
11Tymi i mundimit të tyre do të ngrihet në shekuj të shekujve dhe ata që adhurojnë bishën e shëmbëlltyrën e saj dhe kanë marrë damkën e emrit të saj, nuk do të gjejnë prehje as ditën, as natën. 12Këtu do të duket durimi i të shenjtëve, i atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe ruajnë besimin e Jezuit».
13Atëherë dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Shkruaj: lum ata që do të vdesin të bashkuar me Zotin që tani e tutje».
«Po, thotë Shpirti. Ata do të prehen nga mundimet, sepse veprat e tyre do t'i shoqërojnë pas».
Të korrat e tokës
14Pastaj pashë një re të bardhë, mbi të cilën ishte ulur dikush që ngjante si bir njeriu. Në kokë kishte një kurorë të artë, ndërsa në dorë një drapër të mprehtë. 15Nga tempulli doli një engjëll tjetër që i thirri me zë të lartë atij që rrinte ulur mbi re: «Merre draprin e korr, se erdhi koha e korrjes dhe të korrat e tokës janë pjekur». 16Atëherë ai që rrinte ulur mbi fron e hodhi draprin në tokë dhe toka u korr.
17Nga tempulli që ishte në qiell doli edhe një engjëll tjetër. Edhe ai mbante një drapër të mprehtë. 18Një engjëll tjetër doli nga altari. Ai kishte pushtet mbi zjarrin dhe i thirri me zë të lartë atij që kishte draprin e mprehtë: «Merre draprin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të tokës, se u poq rrushi». 19Engjëlli e hodhi draprin në tokë, voli vreshtin e tokës dhe rrushin e hodhi në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë. 20Rrushi i vozës u shtrydh jashtë qytetit dhe prej saj doli gjak që arrinte deri te frerët e kuajve dhe u përhap deri rreth treqind kilometra larg.
Currently Selected:
Zbulesa 14: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020