YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 90

90
1Lutje e Moisiut, njeriut të Perëndisë.
O Zot, ti ke qenë streha jonë
brez pas brezi.
2Para se të lindnin malet,
para se të krijoje tokën e botën,
prej amshimit në amshim, ti je Perëndia.
3Ti e kthen njeriun në pluhur,
e thua: «Kthehuni, o bijtë e njeriut!».
4Se një mijë vjet në sytë e tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi orët e rojës së natës.
5Në gjumë, si përmbytja i përlan,
si bari që mugullon në mëngjes janë.
6Në mëngjes lulëzon e mugullon,
në mbrëmje vyshket e thahet.
7Prej zemërimit tënd morëm fund,
prej furisë sate u tmerruam.
8Paudhësitë tona i ke vënë para vetes,
të fshehtat tona në dritën e fytyrës sate.
9Tërë ditët tona fashiten prej mërisë sate,
vitet tona marrin fund si një ofshamë.
10Vitet e jetës sonë janë shtatëdhjetë,
ja, tetëdhjetë për më të fortët;
vitet më të mira janë mundim e dhimbje,
teren shpejt e ne kalojmë.
11Kush e njeh forcën e zemërimit tënd?
Si droja ndaj teje ashtu është furia jote.
12Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona,
që të fitojmë një zemër plot urti.
13Kthehu, o Zot! Deri kur?
Ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
14Na ngij në mëngjes me mirësinë tënde,
që të ngazëllejmë e të gëzojmë në të gjitha ditët tona.
15Bëna të gëzojmë për aq ditë sa na mundove,
për aq vite sa kaluam në fatkeqësi.
16Le të shfaqet vepra jote te shërbëtorët e tu,
te bijtë e tyre madhështia jote.
17Ardhtë mbi ne mirësia e Zotit, Perëndisë tonë,
bëje të shkojë mbarë veprën e duarve tona,
përparoftë vepra e duarve tona!

Currently Selected:

Psalmet 90: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in