YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 91

91
1Kush banon nën strehën e të Tejlartit,
qëndron nën hijen e të gjithëpushtetshmit.
2Do t'i them Zotit: «Ti je streha ime e fortesa ime,
je Perëndia im, te ti kam besim».
3Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit
dhe nga plaga vdekjeprurëse.
4Me pendët e tij do të të mbulojë,
nën krahët e tij strehë do të gjesh,
shqyt e mburojë është besnikëria e tij.
5Nuk do ta kesh frikë tmerrin e natës
e as shigjetën që vringëllon ditën,
6as murtajën që endet nëpër terr
e as shfarosjen që shkreton në zheg.
7Le të bien mijëra përreth teje,
apo dhjetëra mijëra në të djathtën tënde,
ty nuk do të të prekë asgjë.
8Vetëm hap sytë
e shih ndëshkimin e të paudhëve.
9 Zoti është streha jote,
i Tejlarti banesa jote,
10nuk të prek asnjë e keqe
dhe tendës sate sëmundje nuk do t'i afrohet.
11Ai do të urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë përgjatë të gjitha udhëve.
12Në duart e tyre do të të mbajnë,
që këmba jote të mos ndeshë në gur.
13Mbi këlyshë luanësh e mbi nepërka do të shkelësh,
do të shtypësh luanë e gjarpërinj.
14«Do ta çliroj, sepse më deshi,
do ta mbroj, se njohu emrin tim.
15Do të më thërrasë e unë do t'i përgjigjem,
në vështirësi me të do të jem,
do ta shpëtoj e nder do t'i jap.
16Do ta kënaq me jetë të gjatë
dhe shpëtimin tim do t'i dëftej».

Currently Selected:

Psalmet 91: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in