YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 88

88
1Këngë. Psalm i bijve të Korahut. Mjeshtrit të korit. Me melodi të trishtueshme. Himn i Heman Ezrahitit.
2O Zot, Perëndia i shpëtimit tim,
ty të thërras ditë e natë.
3Lutja ime mbërrittë te ti,
vëri vesh kujës sime.
4Më është mbushur shpirti me të këqija,
jeta ime është pranë skëterrës.
5Më radhitin me ata që kallen në varr,
jam bërë si njeri pa forcë.
6Endem mes të vdekurve,
si të vrarët që dergjen varreve,
si ata që ti nuk i kujton më,
që janë shkëputur nga dora jote.
7Më ke plandosur në gropën më të thellë,
në skutat më të errëta të thellësive.
8Mbi mua rëndon zemërimi yt,
mbi mua përplasen gjithë dallgët e tua. selah
9Largove prej meje të njohurit e mi,
më bëre të neveritshëm për ta.
Jam mbyllur brenda e më nuk dal,
10sytë më janë venitur prej mjerimit.
Ty të kam thirrur përditë, o Zot,
duart drejt teje i kam shtrirë.
11Pse, për të vdekurit do t'i bësh mrekullitë?
Mos do të ngrihen hijet e të vdekurve të të përlëvdojnë? selah
12Mos ka për të folur kush në varr për mirësinë tënde,
apo për besnikërinë tënde në vendin e shkatërrimit?
13Mos kanë për t'u njohur në errësirë mrekullitë e tua,
apo drejtësia jote në vendin e harresës?
14Por unë të thërras ty, o Zot, për ndihmë,
lutja ime mbërrin para teje që në mëngjes.
15Përse më hedh tej, o Zot?
Përse e fsheh fytyrën prej meje?
16I mjerë jam unë e në prag të vdekjes që në rini,
vuaj prej tmerreve të tua plot dëshpërim.
17Më mbulojnë zemërimet e tua,
tmerret e tua më rrënojnë.
18Më rrethojnë si uji tërë ditën,
vërshojnë mbi mua nga të gjitha anët.
19Largove prej meje miq e shokë,
vetëm errësira më bën shoqëri.

Currently Selected:

Psalmet 88: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in