YouVersion Logo
Search Icon

Psalmet 77

77
1Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Asafit.
2Me zërin tim i thërras Perëndisë,
me zërin tim i drejtohem Perëndisë
dhe ai më dëgjon.
3E kërkova Zotin ditën e fatkeqësisë sime,
tërë natën i ngrita duart drejt tij pa u lodhur,
por shpirti im nuk gjeti ngushëllim.
4Kujtoj Perëndinë e ofshaj,
përsiatem e më merret fryma. selah
5Qepallat e syve m'i ke mbajtur hapur ti,
jam i tronditur e nuk flas dot.
6Më kujtohen ditët e shkuara,
vitet e kaluara qëmoti.
7Më kujtohen këngët e mia,
natën mendoj në zemrën time,
shpirti im kërkon të dijë.
8A mos ka hequr dorë Zoti përgjithmonë?
Mos nuk do të na përkrahë më?
9Mos mori fund përgjithmonë mirësia e tij?
Kaq ishte premtimi i tij brez pas brezi?
10Mos ka harruar Perëndia të ketë mëshirë?
Mos nuk është më i dhembshur,
se është i zemëruar? selah
11Ndaj dhe thashë: «Kjo më lëndon,
se ka ndryshuar e djathta e të Tejlartit».
12Sjell ndër mend veprat e Zotit,
më kujtohen mrekullitë e tij të moçme.
13Përsiat gjithë punët e tua,
mendohem për bëmat e tua.
14O Perëndi, udha jote është e shenjtë,
cili perëndi është i madh si Perëndia ynë?
15Ti je Perëndia që bën mrekulli,
fuqinë tënde e shfaqe ndër popuj.
16Me forcën e krahut tënd e shpëtove popullin tënd,
pasardhësit e Jakobit e të Jozefit. selah
17Të panë ujërat, o Perëndi,
të panë ujërat e u tmerruan,
edhe humnerat u drodhën.
18Retë derdhën ujërat me rrëmbim,
mes tyre jehuan gjëmime
dhe shigjetat e tua vërshuan.
19Gjëmimi yt jehoi nëpër stuhi,
vetëtimat shndritën botën,
toka u drodh e u trand.
20Nëpër det ishte udha jote,
shtigjet e tua mes ujërash të shumtë
dhe gjurmët e tua nuk i njihte askush.
21I prive popullit tënd si grigjës,
me dorën e Moisiut dhe të Aronit.

Currently Selected:

Psalmet 77: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

Video for Psalmet 77