Psalmet 18:1-24
Psalmet 18:1-24 AL1
Të dua, o ZOT, fuqia ime. ZOTI është shkëmbi im, fortesa ime dhe çliruesi im, është Perëndia im, është shkrepi ku gjej strehë. Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, ai është kështjella ime. Lavdi pastë ZOTI! I thirra e nga armiqtë shpëtova. Litarët e vdekjes më mbërthyen, përrenj shkatërrimi më tmerruan. Leqet e skëterrës më rrethuan, më zunë pritë grackat e vdekjes. Kur u gjenda ngushtë, i thirra ZOTIT, i klitha për ndihmë Perëndisë tim. Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim, klithma ime arriti te veshët e tij. Ndaj toka u drodh e u trand, themelet e maleve u shkundën e luajtën vendit, prej zjarrit të zemërimit të tij. Tym doli nga flegrat e hundës së tij e nga goja e tij zjarr shkrumbues. Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan. Qiejt i uli dhe zbriti poshtë, me një re të errët nën këmbë. Hipur mbi një kerub fluturoi, flatroi mbi krahët e erës. Errësirën e hodhi rreth vetes si rrobë, tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta. Prej shkëlqimit të tij dilnin re, breshër e prush i zjarrtë. ZOTI bëri të gjëmojnë qiejt, i Tejlarti bëri t'i dëgjohet zëri, breshër e thëngjij zjarri. Shigjetat e tij dërgoi e i shpërndau, me rrufe i gjuajti e i shpartalloi. Burimet e ujërave u dukën, themelet e tokës u zbuluan, prej qortimit tënd, o ZOT, prej shfryrjes së flegrave të tua. Dorën shtriu nga lart e më kapi, më nxori prej ujërave të shumtë. Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm, nga ata që më urrenin, që ishin më të fortë se unë. M'u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime, por ZOTI u bë përkrahësi im. Më nxori në vend të hapur, më shpëtoi se më kishte për zemër. Kështu bëri ZOTI me mua, se jam i drejtë, kështu më shpërbleu, se të pastra duart i kam. Udhët e ZOTIT kam ndjekur e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi. Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh, nga rregullat e tij nuk shmangem. Kam qenë i ndershëm me të dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur.