Psalmet 18
18
1Mjeshtrit të korit. Himn që Davidi, shërbëtori i Zotit, i drejtoi Zotit ditën që Zoti e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit. 2Davidi tha këto fjalë:
Të dua, o Zot, fuqia ime.
3 Zoti është shkëmbi im,
fortesa ime dhe çliruesi im,
është Perëndia im,
është shkrepi ku gjej strehë.
Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim,
ai është kështjella ime.
4Lavdi pastë Zoti!
I thirra e nga armiqtë shpëtova.
5Litarët e vdekjes më mbërthyen,
përrenj shkatërrimi#18.5 të tjerë: Belialit më tmerruan.
6Leqet e skëterrës më rrethuan,
më zunë pritë grackat e vdekjes.
7Kur u gjenda ngushtë, i thirra Zotit,
i klitha për ndihmë Perëndisë tim.
Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim,
klithma ime arriti te veshët e tij.
8Ndaj toka u drodh e u trand,
themelet e maleve u shkundën e luajtën vendit,
prej zjarrit të zemërimit të tij.
9Tym doli nga flegrat e hundës së tij
e nga goja e tij zjarr shkrumbues.
Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan.
10Qiejt i uli dhe zbriti poshtë,
me një re të errët nën këmbë.
11Hipur mbi një kerub fluturoi,
flatroi mbi krahët e erës.
12Errësirën e hodhi rreth vetes si rrobë,
tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta.
13Prej shkëlqimit të tij dilnin
re, breshër e prush i zjarrtë.
14 Zoti bëri të gjëmojnë qiejt,
i Tejlarti bëri t'i dëgjohet zëri,
breshër e thëngjij zjarri.
15Shigjetat e tij dërgoi e i shpërndau,
me rrufe i gjuajti e i shpartalloi.
16Burimet e ujërave u dukën,
themelet e tokës u zbuluan,
prej qortimit tënd, o Zot,
prej shfryrjes së flegrave të tua.
17Dorën shtriu nga lart e më kapi,
më nxori prej ujërave të shumtë.
18Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm,
nga ata që më urrenin,
që ishin më të fortë se unë.
19M'u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime,
por Zoti u bë përkrahësi im.
20Më nxori në vend të hapur,
më shpëtoi se më kishte për zemër.
21Kështu bëri Zoti me mua,
se jam i drejtë,
kështu më shpërbleu,
se të pastra duart i kam.
22Udhët e Zotit kam ndjekur
e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi.
23Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh,
nga rregullat e tij nuk shmangem.
24Kam qenë i ndershëm me të
dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur.
25 Zoti më shpërbleu, se jam i drejtë,
se e pa që duart i kam të pastra.
26Njeriut besnik ti i qëndron besnik,
me të ndershmin i ndershëm tregohesh.
27Me njeriun e pastër tregohesh i pastër,
por me të mbrapshtin tregohesh dinak.
28Popullin e përvuajtur e shpëton,
por sytë e krenarëve i ul poshtë.
29O Zot, ti i jep dritë llambës sime,
Perëndia im ma ndriçon errësirën.
30Me ty do t'i sulmoj çetat plaçkitëse,
me Perëndinë tim do t'i kapërcej muret.
31Udha e Perëndisë është e përsosur,
fjala e Zotit e sprovuar në zjarr,
ai është mburojë i të gjithë atyre
që kërkojnë strehë tek ai.
32Kush tjetër është Perëndi veç Zotit?
Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë?
33Perëndia që më dha forcë
e ma bëri udhën të përsosur.
34Këmbët m'i bëri të shpejta si të drerit,
në vende të larta më vuri të qëndroj.
35Duart m'i mësoi për betejë,
që krahët e mi të ndejnë hark bronzi.
36Më dhe mburojën e shpëtimit tënd,
e djathta jote m'u bë krah,
mirësia jote më madhëroi.
37E shtrove udhën para hapave të mi
e këmbët nuk më rrëshqitën.
38I ndoqa pas armiqtë e i zura,
nuk do të kthehem pa i shkatërruar.
39I qëllova e më nuk ngrihen,
ranë para këmbëve të mia.
40Më dhe forcë për të luftuar
e ata që m'u ngritën kundër
nën këmbë m'i përkule.
41I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin,
ata që më urrenin i zhbiva.
42Klithën me të madhe,
por s'kishte kush t'i shpëtonte,
i thirrën edhe Zotit,
por nuk iu përgjigj.
43I thërrmova si pluhurin që e merr era,
i flaka jashtë si baltën e rrugës.
44Më çlirove nga grindjet e popullit,
në krye të kombeve më vure,
një popull që nuk më njihte më shërbeu.
45Me të dëgjuar për mua u bindën,
bijtë e të huajve u përkulën para meje.
46U zbehën, u drodhën,
e nga fortesat e tyre dolën.
47 Zoti është i gjallë!
Bekuar qoftë shkëmbi im!
Perëndia i shpëtimit tim u madhëroftë!
48Ai merr shpagim për mua,
popujt nën këmbë m'i nënshtron
49dhe nga armiqtë e mi më çliron.
Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi,
prej njeriut të dhunshëm më shpëton.
50Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o Zot,
dhe emrin tënd përhimnoj.
51Zoti ia shton fitoret mbretit të tij,
tregon mirësi përjetë ndaj të vajosurit të vet,
Davidit e gjithë pasardhësve të tij.
Currently Selected:
Psalmet 18: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020