YouVersion Logo
Search Icon

Nehemia 4

4
1Por, kur Sanbalati, Tobia, arabët, amonitët e ashdoditët morën vesh se kishte përparuar mëkëmbja e mureve të Jerusalemit dhe se kishin filluar t'i mbylleshin të çarat, u zemëruan shumë. 2Të gjithë së bashku u përbetuan të luftonin kundër Jerusalemit e të shkaktonin trazira në të.
3Atëherë ne iu lutëm Perëndisë sonë e vendosëm rojtarë për t'u mbrojtur prej tyre ditë e natë. 4Judenjtë thoshin: «Po u meket forca ngarkuesve e ka shumë mbeturina, prandaj nuk mund ta kryejmë murin». 5Armiqtë tanë thoshin: «Papritur e pa pandehur do të vërsulemi kundër tyre, do t'i vrasim e do t'u japim fund punimeve». 6Judenjtë, që banonin pranë tyre, erdhën e na thanë nja dhjetë herë: «Ngado të silleni, do të sulen mbi ne». 7Atëherë unë e vendosa popullin, sipas fiseve, në vendet e ulëta prapa murit e nëpër rrahe, me shpata, shigjeta e harqe. 8Pasi pashë punën, u ngrita e u thashë fisnikëve, zyrtarëve e pjesës tjetër të popullit: «Mos kini frikë prej tyre. Kujtoni Zotin e madh e të tmerrshëm dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë e bijat tuaja, për gratë e për shtëpitë tuaja!». 9Kur armiqtë tanë dëgjuan se ne ishim në dijeni të kësaj gjëje, Perëndia i prishi synimet e tyre e ne u kthyem te muri, secili te puna e vet.
10Prej asaj dite gjysma e të rinjve të mi punonte e gjysma mbante shigjetat, shqytet, harqet e mburojat. Prijësit rrinin mbrapa tërë shtëpisë së Judës. 11Ata që ndërtonin murin dhe ata që mbartnin ngarkesën, me njërën dorë bënin punën e me dorën tjetër mbanin armën. 12Secili ndërtues ndërtonte me shpatën ngjeshur në ijë e borizani rrinte bri meje. 13Atëherë u thashë fisnikëve, zyrtarëve e pjesës tjetër të popullit: «Puna është madhe dhe ne jemi të shpërndarë larg njëri-tjetrit në këtë mur. 14Kudo që ta dëgjoni zërin e borisë, mblidhuni këtu te ne. Perëndia do të luftojë për ne».
15Kështu, vijuam punimet, ndërsa gjysma mbanin heshtat nga agu deri në mug. 16Në atë kohë unë i thashë popullit: «Secili ta kalojë natën brenda Jerusalemit me shërbëtorin e vet e të jetë rojtar natën e punëtor ditën». 17Kurrë nuk i hoqëm petkat as unë, as vëllezërit e mi, as shërbëtorët e mi, as burrat e rojës që vinin pas meje. Secili e mbante armën në dorë#4.17 ose: edhe kur lahej.

Currently Selected:

Nehemia 4: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in