YouVersion Logo
Search Icon

Marku 11

11
Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem
(Mt 21.1-11; Lk 19.28-40; Gjn 12.12-19)
1Kur iu afruan Jerusalemit, pranë Betfagës e Betanisë, afër malit të Ullinjve, Jezui dërgoi dy prej dishepujve 2e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e sapo të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç mbi të cilin nuk ka hipur ende askush. Zgjidheni e silleni! 3Nëse dikush ju thotë: “Ç'po bëni?”, i thoni: “Zoti ka nevojë për të e do t'jua kthejë përsëri”». 4Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, përjashta në rrugë, dhe e zgjidhën. 5Disa njerëz që po rrinin aty u thanë: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». 6Dy dishepujt u përgjigjën siç u kishte thënë Jezui dhe ata i lejuan. 7Pastaj e sollën kërriçin te Jezui, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. 8Shumë veta shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë shtruan degë të këputura nëpër fusha. 9Ata që ecnin përpara tij dhe ata pas tij, thërrisnin:
«Hosana! Bekuar qoftë ai,
që vjen në emër të Zotit!
10Bekuar qoftë mbretëria që vjen,
mbretëria e Davidit, atit tonë!
Hosana në lartësitë e qiejve!».
11Jezui hyri në Jerusalem e shkoi në tempull. Ai vështroi gjithçka rreth e rrotull dhe meqenëse tashmë ishte vonë, doli për të shkuar në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.
Mallkimi i fikut
(Mt 21.18-19)
12Të nesërmen, pasi u kthyen nga Betania, Jezuin e mori uria. 13Nga larg pa një fik që kishte gjethe e shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve. 14Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan.
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-17; Lk 19.45-48; Gjn 2.13-22)
15Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull e nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave 16e s'lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull. 17Jezui i mësonte e u thoshte: «A nuk është shkruar:
shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje
për të gjitha kombet.
Por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
18Kryepriftërinjtë e shkruesit dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij.
19Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti.
Fiku i tharë
(Mt 21.20-22)
20Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë. 21Pjetri u kujtua e i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë». 22Jezui u tha: «Kini besim në Perëndinë! 23Me të vërtetë po ju them se nëse dikush i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe nuk ka dyshime në zemër, por beson se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet. 24Prandaj po ju them se çfarëdo që të kërkoni në lutje, besoni se do ta merrni e kështu do të bëhet. 25-26Dhe kur ngriheni për t'u lutur, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni atë, që edhe Ati juaj që është në qiell t'jua falë paudhësitë tuaja#11.25 dorëshk. të tjera edhe: 26 Nëse nuk ia falni, as Ati juaj që është në qiell nuk do t'jua falë paudhësitë».
Pushteti i Jezuit
(Mt 21.23-27; Lk 20.1-8)
27Kur erdhën përsëri në Jerusalem, Jezui po ecte në tempull dhe kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë iu afruan 28e i thanë: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet që t'i bësh këto gjëra?». 29Jezui u tha: «Unë do t'ju bëj vetëm një pyetje. Përgjigjmuni e do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. 30Pagëzimi i Gjonit, vinte prej qiellit apo prej njerëzve? Përgjigjmuni!». 31Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 32Po sikur të themi “prej njerëzve”». Por kishin frikë nga turma, se të gjithë e mbanin Gjonin për profet të vërtetë. 33Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».

Currently Selected:

Marku 11: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy