YouVersion Logo
Search Icon

Marku 10

10
Çështja e divorcit
(Mt 19.1-12)
1Jezui u largua që andej e shkoi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit, e përsëri turmat u mblodhën pranë tij. Ai filloi përsëri t'i mësonte, siç e kishte zakon. 2Disa farisenj iu afruan dhe, për ta zënë në kurth, e pyetën: «A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan?». 3Jezui u përgjigj: «Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?». 4Ata i thanë: «Moisiu ka lejuar t'i shkruhet gruas fletëndarja e të lihet». 5Jezui u tha: «Ai jua ka shkruar këtë urdhërim për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj, 6por që nga fillimi i krijimit Perëndia bëri mashkullin e femrën. 7Prandaj burri do ta lërë të atin e të ëmën e do të bashkohet me gruan e vet 8dhe të dy do të bëhen një trup i vetëm. Kështu, ata nuk do të jenë më dy, por një trup i vetëm. 9Prandaj atë që ka bashkuar Perëndia, njeriu të mos e ndajë!».
10Kur u kthyen në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën përsëri për këtë gjë. 11Ai u tha: «Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore ndaj saj, 12dhe kushdo që e ndan burrin e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore».
Bekimi i fëmijëve
(Mt 19.13-15; Lk 18.15-17)
13Atëherë i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta, por dishepujt i qortuan. 14Kur i pa, Jezui u zemërua e u tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, se mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. 15Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». 16Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.
Njeriu i pasur
(Mt 19.16-30; Lk 18.18-30)
17Ndërsa po nisej për rrugë, dikush erdhi me vrap, i ra në gjunjë dhe e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». 18Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. 19Ti i njeh urdhërimet: mos vrit, mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, mos mashtro, ndero atin tënd e nënën tënde!». 20Ai i tha: «Mësues, të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». 21Jezui e vështroi, ndjeu dashuri për të e i tha: «Të mungon një gjë: shko, shit çfarë ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja#10.21 dorëshk. të tjera edhe: dhe ngri kryqin tënd e më ndiq!». 22Por ai u trishtua nga këto fjalë e u largua i mërzitur, se kishte shumë pasuri. 23Jezui vështroi rreth e rrotull e u tha dishepujve: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!». 24Dishepujt u shtangën nga fjalët e tij, por Jezui u tha përsëri: «Bijtë e mi, sa e vështirë është të hysh në mbretërinë e Perëndisë#10.24 dorëshk. të tjera edhe: për ata që mbështeten te pasuria. 25Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 26Ata u habitën tej mase e i thanë njëri-tjetrit: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 27Jezui i vështroi e tha: «Kjo është e pamundur për njerëzit, por jo për Perëndinë, sepse për Perëndinë gjithçka është e mundur».
28Atëherë Pjetri mori fjalën e tha: «Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje». 29Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që lanë shtëpi, vëllezër a motra, nënë ose atë, fëmijë ose ara për shkakun tim dhe për shkak të ungjillit 30nuk do të mbetet pa marrë, tani, në këtë kohë, së bashku me përndjekjet, njëqindfish, shtëpi, vëllezër, motra, nënë, fëmijë e ara, dhe jetën e amshuar në botën e ardhshme. 31Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit e të fundit do të jenë të parët».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mt 20.17-19; Lk 18.31-34)
32Rrugës për në Jerusalem Jezui u printe dishepujve. Dishepujt ishin të tmerruar, ndërsa të tjerët që i ndiqnin kishin frikë. Si i mori përsëri mënjanë të dymbëdhjetët, Jezui filloi t'u tregonte çfarë do t'i ndodhte: 33«Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje e do t'ua dorëzojnë kombeve. 34Këta do ta tallin e do ta pështyjnë, do ta fshikullojnë e do ta vrasin, por pas tri ditësh ai do të ngjallet».
Mbretërimi si shërbim
(Mt 20.20-28)
35Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan e i thanë: «Mësues, duam të bësh për ne gjithçka që të kërkojmë». 36Ai u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». 37Ata i thanë: «Na lejo që në lavdinë tënde të ulemi njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde». 38Por Jezui u tha: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë apo të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem unë?». 39Ata iu përgjigjën: «Mundemi». Jezui u tha: «Kupën që do të pi unë do ta pini edhe ju e do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin do të pagëzohem edhe unë, 40por që të uleni në të djathtën a në të majtën time, nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre për të cilët janë përgatitur». 41Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me Jakobin e me Gjonin. 42Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se ata që e mbajnë veten si krerë të kombeve sundojnë mbi to dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi to. 43Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj, 44dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve, 45sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi t'i shërbejnë, por erdhi për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».
Shërimi i Bartimeut
(Mt 20.29-34; Lk 18.35-43)
46Kështu arritën në Jeriko. Ndërsa po nisej që andej bashkë me dishepujt e me një turmë të madhe, një lypës i verbër, Bartimeu, biri i Timeut, rrinte ulur në anë të rrugës. 47Kur dëgjoi se po kalonte Jezui i Nazaretit, ai nisi të bërtiste: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 48Shumë veta e qortonin që të heshtte, por ai thërriste edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 49Jezui ndaloi e tha: «Thirreni!». Ata e thirrën të verbrin e i thanë: «Merr zemër! Ngrihu! Ai po të thërret». 50Ai hodhi tej gunën, brofi më këmbë e shkoi te Jezui. 51Jezui i tha: «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». I verbri iu përgjigj: «Mësues, dua që të shoh përsëri». 52Atëherë Jezui i tha: «Shko! Besimi yt të shpëtoi». Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit.

Currently Selected:

Marku 10: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy