YouVersion Logo
Search Icon

Luka 12

12
Ruhuni nga hipokrizia
1Atëherë, ndërsa mijëra njerëz ishin mbledhur turmë, aq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jezui filloi t'u fliste më parë dishepujve të vet: «Ruhuni nga tharmi i farisenjve që është hipokrizia. 2Nuk ka asgjë të mbuluar që s'do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s'do të merret vesh. 3Prandaj, çfarëdo që keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë e çfarë keni pëshpëritur me dyer të mbyllura, do të shpallet nga çatitë».
Mos kini frikë
(Mt 10.28-31)
4«Miqtë e mi, unë po ju them: mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pastaj nuk mund të bëjnë asgjë më tepër. 5Ja cilin duhet të kini frikë: atë që pas vdekjes ka pushtetin t'ju hedhë në Gehenë. Po, po ju them, nga ky të keni frikë.
6A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? Megjithatë Perëndia nuk lë në harresë asnjërin prej tyre. 7Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela».
Të dëshmosh për Krishtin
(Mt 10.32-33; 12.32; 10.19-20)
8«Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë. 9Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë. 10Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet.
11Kur t'ju dërgojnë para sinagogave, krerëve e pushtetarëve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni. 12Shpirti i shenjtë do t'ju mësojë se çfarë të thoni në atë çast».
Pasaniku i pamend
13Pastaj dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua». 14Por Jezui i tha: «Kush më vuri mua gjykatës apo ndarës mes jush, o njeri?». 15Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij».
16Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë: «Toka e një pasaniku dha shumë prodhim. 17Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”. 18Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia. 19E do t'i them shpirtit tim: shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”. 20Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t'i mbeten?”.
21Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete e nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë».
Kujdesjet dhe shqetësimet
(Mt 6.25-34; 19—21)
22Jezui u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. 23Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. 24Shikoni korbat! As mbjellin, as korrin, as kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët. 25Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 26Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsi si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat? 27Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 28Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë?
29Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini e mos u brengosni. 30Janë kombet e botës që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto. 31Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t'jua japë edhe ato.
32Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t'jua japë mbretërinë. 33Shitini pasuritë tuaja e jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen e mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë. 34Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj».
Shërbëtorët e kujdesshëm
(Mt 24.45-51)
35«Ngjishini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur. 36Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t'i hapur derën sapo të trokasë. 37Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët e do t'u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë e do t'u shërbejë. 38Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata! 39Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç'orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t'i vidhej shtëpia. 40Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut».
41Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?». 42Atëherë Zoti i tha: «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t'u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 43Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 44Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t'ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 45Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë e të dehet, 46atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë. 47Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura. 48Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak.
Kujt i është dhënë shumë, do t'i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t'i kërkohet edhe më shumë».
Shkak ndarjeje
(Mt 10.34-36)
49«Unë erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet! 50Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet. 51Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje. 52Që tani e tutje nëse në një shtëpi do të jenë pesë veta, do të ndahen tre kundër dyve e dy kundër treve. 53Do të ndahen
ati nga i biri
dhe biri nga i ati,
nëna nga e bija
dhe bija nga e ëma,
vjehrra nga nusja
dhe nusja nga e vjehrra».
Shenjat e kohës
(Mt 16.2-3)
54Pastaj u tha turmave: «Kur shihni renë që ngrihet në perëndim, ju menjëherë thoni se do të bjerë shi e kështu ndodh. 55Kur shihni se po fryn juga, ju thoni se do të bëjë i nxehtë i madh e kështu ndodh. 56Hipokritë! Dukuritë e tokës e të qiellit dini t'i shpjegoni, po si nuk ditkeni të dalloni kohën e tanishme?».
Pajtimi me kundërshtarin
(Mt 5.25-26)
57«Pse nuk gjykoni vetë se ç'është e drejtë? 58Nëse je rrugës për te gjykatësi bashkë me kundërshtarin tënd, përpiqu të merresh vesh me të rrugës, që kur të dalësh para gjykatësit, ai mos të të dorëzojë te roja e pastaj roja të të fusë në burg. 59Unë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».

Currently Selected:

Luka 12: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy