YouVersion Logo
Search Icon

Luka 11

11
Ati ynë
(Mt 6.9-15; 7.7-11)
1Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni i mësoi dishepujt e vet». 2Ai u tha: «Kur të luteni thoni:
Atë#11.2 dorëshk. të tjera: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë mbretëria jote#11.2 dorëshk. të tjera edhe: u bëftë vullneti yt si në qiell, edhe në tokë!
3Bukën tonë të përditshme#11.3 ose: të mbiqenësishme
na e jep çdo ditë
4e na i fal mëkatet tona,
se edhe ne ua falim detyronjësve tanë#11.4 ose: Na i fal fajet tona, siç ua falim ne fajtorëve tanë.
E mos na vër në sprovë#11.4 ose: E mos na shtjer në tundim».#11.4 dorëshk. të tjera edhe: por na shpëto nga i ligu
5Pastaj u tha: «E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep tri bukë, 6se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t'i vënë përpara”. 7E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. 8Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t'i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t'i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij.
9Dhe unë po ju them: lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, 10sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. 11A ka ndër ju ndonjë atë që do t'i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? 12Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t'i jepte një akrep? 13Nëse ju që jeni të këqij, dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t'ua japë prej qiellit Shpirtin e shenjtë atyre që ia kërkojnë!».
Jezui dhe Beelzebuli
(Mt 12.22-30; Mk 3.20-27)
14Jezui po dëbonte një djall, i cili ishte memec. Kur u dëbua djalli, memeci foli e turmat u mrekulluan. 15Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».
16Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një shenjë nga qielli. 17Por Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës. 18Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit? 19Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.
21Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt. 22Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën e u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.
23Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan».
Kthimi i shpirtit të ndyrë
(Mt 12.43-45)
24«Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje e kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola”. 25Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar. 26Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».
Lumnia e vërtetë
27Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!». 28Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!».
Një shenjë
(Mt 12.38-42; Mk 8.12)
29Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte: «Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një shenjë, por asaj nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait. 30Sikurse Jonai u bë shenjë për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni. 31Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t'i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni. 32Njerëzit e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai».
Drita e trupit
(Mt 5.15; 6.22-23)
33«Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 34Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë. 35Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë. 36Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».
Mjerë ju
(Mt 23.1-36; Mk 12.38-40; Lk 20.45-47)
37Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë. 38Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante. 39Atëherë Zoti i tha: «Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi. 40Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen? 41Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme e kështu do të keni të pastër gjithçka. 42Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë e dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. 43Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe! 44Mjerë ju, që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».
45Njëri nga mësuesit e ligjit iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra». 46Por Jezui i tha: «Mjerë edhe ju, mësues të ligjit, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t'i mbajtur! 47Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë! 48Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret. 49Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t'u dërgoj profetë e apostuj, por ata do t'i vrasin e disa do t'i përndjekin”, 50që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës, 51që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarisë, që e vranë mes altarit e shenjtërores. Po, po ju them, se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni. 52Mjerë ju, mësues të ligjit, se e keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por penguat edhe të tjerët të hyjnë».
53Kur Jezui doli, shkruesit dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh, 54duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte.

Currently Selected:

Luka 11: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy