YouVersion Logo
Search Icon

Levitiku 8

8
Shenjtërimi i priftërinjve
1 Zoti i tha Moisiut: 2«Merr Aronin bashkë me bijtë e tij, rrobat, vajin e vajosjes, mëzatin për flinë e mëkatit, dy desh, shportën me bukë të ndorme, 3e mblidh gjithë bashkësinë te hyrja e tendës së takimit». 4Moisiu bëri siç e urdhëroi Zoti dhe mblodhi bashkësinë te hyrja e tendës së takimit. 5Moisiu i tha bashkësisë: «Ja ç'ka urdhëruar Zoti të bëhet». 6Mandej, nxori përpara Aronin e bijtë e tij e i lau me ujë. 7Aronit i veshi tunikën dhe i ngjeshi brezin, i veshi petkun dhe efodin e i ngjeshi brezin e efodit. 8Pastaj i vuri parzmoren dhe mbi parzmore Urimin e Tumimin. 9Në kokë i vuri kësulën e mbi kësulë, në anën e ballit, i vuri pllakën e artë dhe kurorën e shenjtë, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 10Mandej, Moisiu mori vajin e vajosjes, vajosi tendën me gjithçka ndodhej atje dhe i shenjtëroi. 11Me pak vaj stërpiku altarin shtatë herë, vajosi altarin me gjithë enët e tij dhe shenjtëroi legenin me gjithë bazën e tij. 12Mandej, i hodhi Aronit në kokë nga vaji i vajosjes, e vajosi dhe e shenjtëroi. 13Moisiu afroi edhe bijtë e Aronit, i veshi me tunika, i ngjeshi me brez dhe u vuri kësulëza në kokë, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
14Solli edhe mëzatin për flinë e mëkatit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e mëzatit të flisë për mëkatin. 15Mandej, Moisiu e theri mëzatin, mori gjak me gisht dhe e vuri mbi brirët e altarit rreth e qark. Kështu e pastroi altarin prej mëkatit. Pjesën tjetër të gjakut e derdhi te themelet e altarit dhe e shenjtëroi për të kryer mbi të shlyerjen. 16Mori tërë dhjamin që mbulonte zorrët, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamin e tyre dhe i dogji mbi altar. 17Pjesën tjetër të mëzatit, lëkurën, mishin e rropullitë i dogji në zjarr jashtë fushimit, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
18Mandej, solli dashin për flinë e shkrumbimit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e dashit. 19Moisiu e theri dhe gjakun e spërkati rreth altarit. 20Dashin e ndau në copa. Kokën, copat dhe dhjamin i dogji në zjarr. 21Pasi i lau të përbrendshmet dhe këmbët me ujë, Moisiu e dogji të gjithë dashin mbi altar, siç e kishte urdhëruar Zoti. Ishte fli erëkëndshme shkrumbimi, fli zjarri për Zotin.
22Solli edhe dashin e dytë për flinë e shugurimit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e dashit. 23Moisiu e theri, mori gjak dhe e leu Aronin në bulën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë. 24Pastaj afroi bijtë e Aronit dhe i leu me gjak në bulën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë. Pjesën tjetër të gjakut, Moisiu e spërkati rreth altarit. 25Pastaj mori dhjamin, bishtin, gjithë dhjamin që mbulon zorrët, bulën mbi mëlçi, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe kofshën e djathtë. 26Prej shportës së bukëve të ndorme që ishte para Zotit, mori një bukë të ndorme, një kulaç me vaj dhe një pite e i vuri mbi dhjamin e mbi kofshën e djathtë. 27Të gjitha këto ia vuri mbi pëllëmbë Aronit e bijve të tij dhe ata i ngritën si fli lartësimi para Zotit. 28Pastaj Moisiu i mori nga duart e tyre dhe i dogji në altar si fli shkrumbimi. Kjo ishte flija erëkëndshme e shugurimit, fli zjarri për Zotin. 29Moisiu mori gjoksin e dashit dhe e ngriti si fli lartësimi para Zotit. Kjo ishte pjesa prej dashit të flisë së shugurimit që i takonte Moisiut, siç e kishte urdhëruar Zoti.
30Pastaj Moisiu mori vajin e vajosjes dhe gjakun që ishte në altar e spërkati me to Aronin, rrobat e tij, bijtë e tij e rrobat e bijve të tij. Kështu, ai e shenjtëroi Aronin, rrobat e tij, bijtë e tij e rrobat e bijve të tij. 31Mandej, Moisiu i tha Aronit e bijve të tij: «Ziejeni mishin te hyrja e tendës së takimit e hajeni aty bashkë me bukët, që janë në shportën e flisë së shugurimit, ashtu siç urdhërova kur thashë t'i hanin Aroni e bijtë e tij. 32Pjesën e mbetur të mishit e të bukës digjeni në zjarr. 33Për shtatë ditë mos u largoni prej hyrjes së tendës së takimit, derisa të plotësohen ditët e shugurimit, sepse duhen shtatë ditë që të bëhet shugurimi juaj. 34Ashtu siç u bë sot, ashtu ka urdhëruar Zoti të bëhet edhe për shlyerjen e mëkatit tuaj. 35Rrini te hyrja e tendës së takimit për shtatë ditë e shtatë net dhe zbatoni urdhrin e Zotit, që të mos vdisni. Kështu më është urdhëruar».
36Aroni e bijtë e tij bënë gjithçka sipas urdhrit që Zoti i kishte dhënë Moisiut.

Currently Selected:

Levitiku 8: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in