YouVersion Logo
Search Icon

Levitiku 7

7
Flitë e tjera
1«Ky është udhëzimi për flinë e fajit: është një gjë shumë e shenjtë. 2Flija për fajin të theret në të njëjtin vend ku theret flija e shkrumbimit dhe gjaku i saj të spërkatet përreth altarit. 3Të kushtohet gjithë dhjami i saj, bishti, dhjami që mbulon zorrët, 4të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bula mbi mëlçi të hiqet bashkë me veshkat. 5Prifti t'i shkrumbojë mbi altar si fli zjarri për Zotin. Kjo është flija për fajin. 6Çdo mashkull nga familjet priftërore mund të hajë prej saj. Të hajë në vend të shenjtë, sepse është shumë e shenjtë.
7Flija për fajin është si flija për mëkatin dhe për të vlen i njëjti udhëzim: flija i përket priftit që kryen shlyerjen. 8Lëkura e flisë së shkrumbimit i takon priftit që kryen kushtimin e flisë së shkrumbimit. 9Priftit që kryen kushtimin i takon edhe çdo fli drithi e pjekur në furrë, e skuqur në tigan apo e pjekur në saç. 10Çdo fli drithi përzier me vaj apo e thatë u takon të gjithë pasardhësve të Aronit, në masë të barabartë për secilin.
11Ky është udhëzimi për flinë e paqtimit që i kushtohet Zotit: 12nëse ndokush dëshiron të kushtojë fli falënderimi, të paraqesë si fli falënderimi kuleç të ndormë përzier me vaj, pite të ndorme lyer me vaj dhe kuleç prej maje mielli përzier me vaj. 13Të paraqesë edhe disa kuleç me tharm bashkë me këtë fli, për të shoqëruar flinë e paqtimit për falënderim. 14Prej secilës fli merrni nga një kulaç e kushtojani Zotit si dhuratë. Ajo i takon priftit që kreu spërkatjen e gjakut të flisë së paqtimit. 15Mishi i flisë së paqtimit për falënderim, të hahet ditën që kushtohet dhe të mos lihet asgjë për të nesërmen.
16Nëse flija që paraqitet është fli kushti apo fli vullnetare, të hahet po atë ditë që kushtohet. Nëse tepron ndonjë gjë, të hahet të nesërmen. 17Nëse mishi i flisë tepron për ditën e tretë, të digjet në zjarr.
18Nëse ndokush ha prej mishit të flisë së paqtimit ditën e tretë, ai që kushtoi flinë nuk do të pranohet dhe flija nuk do t'i merret parasysh. Ky mish është i papastër dhe kush ha prej tij do të jetë fajtor. 19Mishi, që mund të ketë prekur ndonjë gjë të papastër, të mos hahet, por të digjet në zjarr. Nga mishi i flisë mund të hanë të gjithë ata që janë të pastër.
20Kush është i papastër dhe ha mishin e flisë së paqtimit, që i është kushtuar Zotit, të zhbihet#7.20 ose: të përjashtohet prej popullit. 21Kush prek ndonjë gjë të papastër njeriu, kafshe apo të çfarëdolloj fëlliqësie të pështirë, dhe ha mishin e flisë së paqtimit, që i është kushtuar Zotit, ai njeri të zhbihet prej popullit».
Ndalimi i gjakut e i dhjamit
22 Zoti i tha Moisiut: 23«Thuaju izraelitëve: dhjamin e kaut, të deles apo të dhisë mos e hani. 24Dhjamin e një kafshe të ngordhur apo të një kafshe që e ka shqyer bisha, mund ta përdorni për punë të ndryshme, por mos e hani assesi. 25Kush ha dhjamin e një kafshe që kushtohet si fli zjarri për Zotin, të zhbihet prej popullit. 26Po ashtu, mos përdorni për ushqim asnjë lloj gjaku, as shpendi, as bagëtie. 27Kush ha gjak të çdo lloji, të zhbihet prej popullit».
Pjesa e priftërinjve
28 Zoti i tha Moisiut: 29«Thuaju izraelitëve: kush i kushton fli paqtimi Zotit, t'i paraqesë Zotit pjesën e caktuar prej flisë së paqtimit. 30T'ia paraqesë me duart e veta Zotit flinë që duhet të digjet në zjarr. Dhjamin ta sjellë bashkë me gjoksin. Gjoksi të ngrihet si fli lartësimi për Zotin. 31Dhjamin prifti ta shkrumbojë në altar, ndërsa gjoksi i takon Aronit e bijve të tij. 32Edhe kofsha e djathtë e flisë së paqtimit t'i jepet si dhuratë priftit. 33Kofsha e djathtë u takon për pjesë bijve të Aronit që kushtojnë gjakun e dhjamin e flisë së paqtimit, 34sepse gjoksin e flisë së lartësimit dhe kofshën e dhuratës e mora prej flive të paqtimit të bijve të Izraelit e ia dhashë priftit Aron e bijve të tij si rregull të përhershëm nga ana e bijve të Izraelit».
35Kjo është pjesa që i takon Aronit e bijve të tij prej flive të zjarrit për Zotin. Ajo u jepet ditën që kryejnë shërbesën e tyre priftërore për Zotin. 36Këto urdhëroi Zoti t'u jepen atyre, prej bijve të Izraelit, ditën që i vajosi. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. 37Këto janë udhëzimet për flitë e shkrumbimit, flitë e drithit, flitë për mëkatin, flitë për fajin, flitë e shugurimit dhe për flitë e paqtimit, 38Zoti i urdhëroi Moisiut në malin e Sinait, ditën kur Zoti u urdhëroi bijve të Izraelit t'i kushtojnë fli Zotit në shkretëtirën e Sinait.

Currently Selected:

Levitiku 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in