Joeli 2
2
Dita e Zotit
1«Bjerini trumbetës në Sion,
lëshoni kushtrim në malin tim të shenjtë.
Të dridhen mbarë banorët e vendit,
se erdhi dita e Zotit,
afër është ajo.
2Ditë e errët dhe e zezë,
ditë e vrenjtur e plot terr,
përmbi male seç sterron#2.2 ose: si agimi shtrihet.
Ja, një popull i shumtë e i fortë
që kurrë s'është parë në kohët e lashta
e as do të shihet brez pas brezi.
3Zjarr përpirës i paraprin,
flakë shkrumbuese i shkon pas,
si kopshti i Edenit toka para tij,
por humbëtirë të shkretë lë pas.
Askush nuk i shpëton dot.
4Duken si kuaj,
vërsulen si kalorës.
5Kapërcejnë kreshta malesh
me ushtimë karrocash ushtrie,
me kërcitje flakësh zjarri
kur përpin kashtën e thatë,
si një popull i fuqishëm
që në luftë rreshtohet rresht.
6Para tij popujt dridhen,
gjithë fytyrat zverdhen krejt.
7Porsi trima ata sulen,
si luftëtarë hidhen mbi mure.
Secili mban rreshtin e vet
e nuk ngatërron rrugë.
8Njëri-tjetrin nuk e shtyjnë,
çdo burrë merr shtegun e vet
e s'ka armë që i zmbraps.
9Vërshojnë qytetit,
turren mureve,
shtëpitë zaptojnë,
si kusarë nga dritaret hyjnë.
10Para tij trandet toka,
qiejt luajnë vendit.
Dielli e hëna nxihen krejt,
yjet humbasin shkëlqimin e tyre.
11 Zoti e lëshoi kushtrimin
në krye të ushtrisë së tij.
Gjerë e gjatë shtrihet fushimi,
sa i fuqishëm ai që zbaton fjalën e tij.
E madhërishme dita e Zotit,
e tmerrshme shumë është ajo.
Ballë kush mund t'i bëjë?
12Ndaj, tani, kumton Zoti:
kthehuni tek unë me gjithë zemër,
me agjërime, vaj e zi.
13Shqyeni zemrat e jo rrobat,
kthehuni te Zoti, Perëndia juaj.
I mëshirshëm e i dhembshur është ai,
i ngadaltë në zemërim e plot mirësi,
i vjen keq për fatkeqësitë.
14Kush e di? Ndoshta ndërron mendje,
i vjen keq e lë pas ndonjë bekim,
fli drithi e stërpikjeje,
për Zotin, Perëndinë tuaj.
15Bjerini trumbetës në Sion,
shpallni agjërim,
thërrisni kuvend,
16mblidhni popullin,
shenjtëroni bashkësinë,
mblidhni pleq e fëmijë,
foshnjat që thithin gji.
Daltë dhëndri prej dhomës,
edhe nusja prej odës së nusërisë.
17Mes portikut dhe altarit,
të vajtojnë priftërinjtë, shërbëtorët e Zotit:
“Ki mëshirë, o Zot, për popullin tënd!
Pronën tënde mos e lër të turpërohet,
që kombet mos të tallen me të.
Pse mes tyre të thuhet:
ku është Perëndia i tyre?”.
18Xheloz u bë Zoti për tokën e vet,
iu dhimbs populli i vet,
19ndaj iu përgjigj e i tha:
“Ja, po ju çoj drithë, verë e vaj,
që të hani e të ngiheni.
Mes kombeve s'do t'ju lë të turpëroheni”.
20Do ta heq prej jush veriorin,
do ta zboj në djerrinë të shkretë.
Pararojën do t'ia hedh në detin e lindjes,
praparojën në detin e perëndimit.
Do të qelbet e do të kutërbojë.
Vepra të madhërishme ai bëri.
21Mos ki frikë, o tokë,
gëzohu e festo,
se Zoti vepra të madhërishme bëri.
22Mos kini frikë, o kafshët e fushës,
se kullotat bleruan,
pemët dhanë frut,
fiku dhe hardhia begatuan.
23Gëzohuni e festoni në Zotin, Perëndinë tuaj,
o bijtë e Sionit.
Ai ju shpërbleu me shirat e hershëm,
ju dërgoi shiun e vjeshtës dhe të pranverës, si dikur.
24Lëmenjtë do të jenë plot me grurë,
lugjet do të gufojnë me verë e vaj.
25Do t'ju shpaguaj vitet që përlau karkaleci,
krimbi, bulkthi dhe vemja,
ushtria ime e madhe,
që çova kundër jush.
26Do të hani e do të ngopeni,
emrin e Zotit, Perëndisë tuaj, do të lavdëroni,
se mrekulli bëri ai për ju.
Populli im s'do të turpërohet më kurrë.
27Do ta dini se unë jam mes Izraelit,
unë, Zoti, Perëndia juaj, askush tjetër.
Populli im s'do të turpërohet më kurrë».
Currently Selected:
Joeli 2: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020