Joeli 1
1
Këngë vaji
1Fjala e Zotit drejtuar Joelit, birit të Petuelit.
2«Dëgjojeni këtë, o pleq,
vërini vesh, o banorë të mbarë tokës.
A ka ndodhur diçka e tillë në kohën tuaj
a në kohën e etërve tuaj?
3Tregojuani bijve tuaj,
bijtë tuaj fëmijëve të tyre
e ata breznisë së ardhshme.
4Çfarë la vemja,
e hëngri karkaleci.
Çfarë la karkaleci,
e hëngri krimbi.
Çfarë la krimbi,
e hëngri bulkthi.
5Zgjohuni, o të dehur, e vajtoni,
vini kujën, ju pijanecët e verës,
se ju hoq mushti prej gojës.
6Një komb e pushtoi vendin tim,
i fuqishëm e i panumërt është ai,
me dhëmbë luani,
e dhëmballë luaneshe.
7Vreshtin ma shkretoi,
fiqtë m'i cungoi,
i zhveshi krejt, i flakëroi,
degët u zbardhën.
8Lebetit porsi vasha e veshur me grathore
që dhëndrin e saj vajton.
9U zhduk prej shtëpisë së Zotit
kushti i drithit e i stërpikjes,
ndaj vajtojnë priftërinjtë,
shërbëtorët e Zotit.
10Arat u rrënuan e toka vajton,
se drithi mbaroi,
vera shteroi,
vaji mungon.
11Turp për ju, o bujq,
klithni, o vreshtarë,
për grurin dhe elbin,
se morën fund prodhimet e fushës.
12Hardhia u fishk,
fiku u vyshk.
Shega, palma edhe molla,
tërë pemët e fushës, u thanë,
ndaj iu shua gëzimi njerëzisë.
13Vishuni me grathore e vajtoni, o priftërinj,
klithni, o shërbëtorë të altarit.
Shkoni e kaloni natën veshur me grathore,
o shërbëtorë të Perëndisë tim,
se mungon në shtëpinë e Perëndisë tuaj
kushti i drithit e i stërpikjes.
14Shpallni agjërim,
thërrisni kuvend,
mblidhini pleqtë
e mbarë banorët e tokës,
në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tuaj,
e klithini Zotit.
15Vaj për atë ditë,
ditën e Zotit që afron,
se si mynxyrë prej të Pushteshmit vjen.
16A s'u zhduk ushqimi
prej syve tanë,
gazi e hareja
prej shtëpisë së Perëndisë tonë?
17Fara e mbjellë u kalb.
Drithnikët u rrënuan,
tëmotjet u shkretuan,
se gruri mori fund.
18Sa lëngojnë kafshët!
Sorollaten kopetë e gjedhit,
se kullota nuk ka.
Edhe kopetë e dhenve
vuajnë njësoj.
19O Zot, ty të thërras,
se zjarri përpiu kullotat e stepës,
flaka shkrumboi pemët e fushës.
20Edhe egërsirat gulçojnë për ty,
se u thanë currilat e ujit,
zjarri përpiu kullotat e stepës».
Currently Selected:
Joeli 1: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020