Jobi 7
7
1«A s'është mundim jeta e njeriut mbi dhe
e ditët e tij si ditët e rrogëtarit?
2Siç digjet skllavi për mriz
e siç pret rrogëtari shpërblimin,
3ashtu më ranë mua muaj zbrazëtie
dhe m'u caktuan net mjerimi.
4Nëse shtrihem, them: “Kur do të ngrihem?”,
por mbrëmja është e gjatë
e unë përpëlitem gjer në ag.
5Trupin ma mbuluan krimbat e pluhuri,
kore e plasaritur më është bërë lëkura.
6Ditët më ikin më shpejt se vegja e endësit
dhe sosen ku soset shpresa.
7Mos harro se një frymë është jeta ime,
sytë e mi nuk do ta shohin më të mirën.
8Syri që do të më shohë, nuk do të më dallojë,
kur të m'i hedhësh sytë, nuk do të jem më.
9Siç davaritet e kalon reja,
ashtu nuk ngjitet më kush zbret në skëterrë.
10Nuk kthehet më në shtëpi,
as ka për ta njohur më vendi i tij.
11Prandaj nuk do ta mbaj gojën,
do të flas me shpirt të brengosur,
do të ankohem me hidhërim në zemër.
12A jam unë det, apo përbindësh,
që vure rojë përmbi mua?
13Kur them: “Shtrati do të më lehtësojë,
shtroja do të ma zbusë ankimin”,
14atëherë ti më tremb me ëndrra
e më tmerron me vegime.
15Më mirë të ma marrësh frymën,
më mirë të vdes, se të më mbesin veç eshtrat.
16Jam mekur, nuk do të jetoj përgjithmonë.
Më lër, sepse si fryma janë ditët e mia.
17Ç'është njeriu që ta madhërosh,
që ta mbash mendjen tek ai,
18ta vëzhgosh çdo mëngjes
e çdo çast ta vësh në sprovë?
19Kur do t'i heqësh sytë prej meje?
Nuk më lë vetëm as të gëlltis pështymën.
20Nëse mëkatova, ç'të bëra ty, o rojtar i njerëzimit?
Pse më vure në shënjestër e u bëra i rëndë edhe për vete?
21Pse nuk ma shlyen fajin e nuk ma harron ligësinë,
se tani do të shtrihem në pluhur,
do të më kërkosh e nuk do të më gjesh?».
Currently Selected:
Jobi 7: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020