YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 5

5
Perëndia qorton Jobin
1«Thirr, pra! A ka kush të përgjigjet?
Kujt do t'i drejtohesh, ndër të shenjtë?
2Të marrin e ther mëria
e të pamendin smira e vret.
3Pashë tek zinte rrënjë i marri,
por fill ia mallkova banesën.
4Bijtë e tij nuk kanë shpëtim,
i shkelin para të gjithëve e s'ka kush i liron.
5Të korrat ia ha i urituri,
edhe në dhënçin ferra.
Të babëziturit ia rrëmbejnë katandinë.
6Jo, lëngata nuk mbin nga pluhuri,
e as pikëllimi nuk mbin prej dheut,
7por për t'u pikëlluar ka lindur njeriu,
sikurse shkëndijat për të fluturuar lart.
8Por unë do të kërkoja Perëndinë
e Perëndisë do t'ia shtroja çështjen.
9Ai bën vepra madhështore e të pashqyrtueshme,
bën mrekulli të panumërueshme.
10Ai e hedh shiun mbi dhe
e ujin e lëshon mbi ara.
11Ai i lartëson të përulurit
e vajtorët i ngre të sigurt.
12I zhbën shestimet e tinëzarëve
e duart e tyre nuk sjellin mbarësi.
13I zë të urtët në tinëzinë e tyre
e synimet e dinakëve shemben shpejt.
14Gjatë ditës hasin në errësirë,
në mesditë kuturisin si nëpër natë.
15Por ai e shpëton nevojtarin
nga shpata e gojës së tyre
e nga dora e të fortëve.
16Ka shpresë për të vobektin,
padrejtësisë i mbyllet goja.
17Pra, lum njeriu, që Perëndia e qorton!
Mos e përçmo mësimin e të gjithëpushtetshmit,
18se ai lëndon, por e lidh plagën,
godet, por me dorën e vet shëron.
19Të liron nga gjashtë mundime
dhe lëngata e shtatë nuk do të të bjerë.
20Kur të bjerë zija e bukës,
të shpëton nga vdekja
e nga tehu i shpatës në betejë.
21Do të strehohesh nga fshikullimi i gjuhës
e, në ardhtë rrënimi, nuk do të druash.
22Do të tallesh me shkretimin e me urinë,
nuk do të trembesh nga egërsirat e dheut.
23Do të lidhësh besë me gurët e arës
dhe egërsirat paqe do të kenë me ty.
24Do ta shohësh se tenda jote është e sigurt,
do të qëmtosh pronën e asgjë s'do të mungojë.
25Do ta shikosh si do të të shtohet fara
e pinjojtë e tu si bari i dheut.
26Do të hysh në varr i mbajtur e i fortë,
si kalliri i pjekur në kohën e vet.
27Ja, këtë gjë e hetuam dhe ashtu është.
Dëgjoje, që ta dish për vete».

Currently Selected:

Jobi 5: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in