YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 38

38
Urtia krijuese
1Atëherë Perëndia iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:
2«Kush është ky që e zymton këshillën
me fjalë pa kuptim?
3Ngjishe brezin si burrë,
se unë do të të pyes e ti do të më mësosh.
4Ku ishe ti kur unë hodha themelet e tokës?
Fol, nëse e njihke kuptimin!
5Kush ia caktoi përmasat, po e dite?
Kush e mati me litar?
6Mbi çfarë u hodhën themelet e saj
ose kush ia vuri gurin e këndit,
7kur yjet e mëngjesit tok gumëzhinin
e të gjithë bijtë e Perëndisë brohorisnin?
8Kush ia mbylli dyert detit,
kur shpërtheu e nga barku doli,
9kur retë ia bëra si petka
e sterrën si shpërgënj?
10Unë ia caktova caqet
e dyerve ua vura shulin,
11pastaj thashë: “Deri këtu do të vish e jo më tej!
Këtu do të të thyhen dallgët krenare”.
12Vallë, gjatë jetës, a e urdhërove mëngjesin?
Po agut, a ia tregove vendin,
13që tokën për cepash ta kapte
e t'i shkundte prej saj të paudhët?
14Ajo shndërrohet si deltina nën vulë
e ngjyhet si petku.
15Mëkatarëve u përvidhet drita
e u copëtohet krahu i ngritur.
16A mbërrite dot te burimet e detit?
A shëtite vallë në fund të humnerës?
17A t'u shfaqën ty dyert e vdekjes?
Po dyert e terratisjes i ke parë vallë?
18A ta ka rrokur mendja hapësirën e dheut?
Trego, në i di tërë këto!
19Nga bie rruga për ku banon drita?
Po errësira, ku e ka vendin,
20që ta mbash brenda cakut të saj
e shtegun e shtëpisë së saj ta dallosh?
21Patjetër ti e di, sepse kishe lindur
e i madh është numri i ditëve të tua.
22A ke hyrë në hangarët e borës?
Po drithnikët e breshrit, i ke parë?
23Unë i ruaj për kohë ngushtice,
për ditë beteje e luftimi.
24Për cilën udhë shpërndahet drita
e përhapet juga mbi dhe?
25Kush ia hapi hullinë ujit përmbytës
e shtegun vetëtimës gjëmuese,
26për të sjellë shi në tokën pa njeri,
mbi shkretëtirën ku nuk shkel njerëzia,
27për të ngopur thatinën e shkretinë,
që djerrina bar të qesë?
28A ka shiu atë?
Po pikat e vesës, vallë, kush i lindi?
29Prej barkut të kujt u lind akulli?
Po brymën prej qiellit, kush e lindi vallë?
30Si gur ngurtësohet uji
e ngrin faqja e honit.
31A mund t'i lidhësh ti vargjet e Shenjëzave,
apo Orionit t'ia zgjidhësh vargoin?
32A e qet në kohë Yllin e Mëngjesit
dhe a e drejton dot Arushën me zogj?
33Ai i njeh vallë ligjet e qiellit?
A i vendos dot në tokë rregullat e tij?
34A mund t'i urdhërosh retë
që të të mbulojë uji përmbytës?
35A mund t'i lëshosh vetëtimat
e a do të nisen duke thënë: “Si urdhëron”?
36Kush ia caktoi brendisë urtinë
e kush ia dha mendjes kuptimin?
37Kush mund t'i numërojë retë me urti
e kush i zbraz kacekët e qiellit
38kur pluhuri ngjishet tok
e plisat ngurtësohen?
39A e gjuan dot prenë e luanit?
Po këlyshëve të tij, a ua shuan urinë,
40kur mblidhen kruspull në strofull
apo kur presin në shkurrnajë?
41Kush ia gatit korbit ushqimin,
kur zogjtë e tij Perëndinë thërrasin
e përenden pa ushqim?».

Currently Selected:

Jobi 38: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in