YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 37

37
1«Për këtë më dridhet zemra
e më del nga vendi.
2Dëgjojeni, dëgjojeni krismën e zërit të tij,
buçimën që del nga goja e tij.
3Nën qiellin mbarë e lëshon
e vetima gjer në skajet e tokës shkon.
4Pas saj buçet një zë,
shkreptin me zërin madhështor
e asgjë s'i ndalon rrufetë
pasi iu është dëgjuar zëri.
5Shkreptin Perëndia me zërin e tij
e bën mrekulli që ne nuk i njohim.
6I thotë borës: “Bjer mbi tokë!”
dhe zbraz shira të rrëmbyeshëm.
7Ai e ndal dorën e të gjithë njerëzve,
që të gjithë njerëzit veprën e tij ta njohin.
8Egërsirat shkojnë në strofujt e vet
e struken në banën e vet.
9Prej jugës vjen stuhia
e acari prej murrlanit.
10Fryma e Perëndisë përfton akullin
e ngrin syprina e ujërave.
11Retë i ngarkon me lagështi
e vetimat e tij shpërndajnë.
12Shtillen gjithandej nën drejtimin e tij,
për të kryer gjithçka u urdhëroi në botën përmbi dhe,
13se ai i përftoi ose për ndëshkim,
ose për tokën e vet, ose për mirësi.
14Dëgjo këtu, o Job,
zër vend e mrekullitë e Perëndisë mendo.
15A e di ti si u jep urdhra Perëndia
e si e nxjerrin retë e tij rrufenë?
16A e di ti si fluturojnë retë?
A i njeh mrekullitë e dijeplotit
17ti, që petkat të ngrohin,
kur mbi dhe fashitet juga?
18Mos vallë me të i shtrive retë
të ngurtë si pasqyrë e shkrirë?
19Na mëso çfarë t'i themi atij,
se nuk marrim vesh për shkak të errësirës.
20A mund t'i thuhet se unë dua të flas?
Nëse ai flet, njeriu do të përpihet.
21Mirëpo nuk e shohin njerëzit dritën
tek shkëlqen mbi re,
derisa era t'i shpërndajë.
22Nga veriu vjen drita e artë
e madhështia mahnitëse Perëndinë rrethon.
23Të gjithëpushtetshmin ne nuk mund ta gjejmë,
ai është madhështor në pushtet e drejtësi
dhe nuk e nëpërkëmb drejtësinë e madhe.
24Prandaj njerëzit i tremben atij,
por ai nuk i përfill
ata që pandehen zemërurtë».

Currently Selected:

Jobi 37: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in