YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 34

34
Qortimi i Elihuit
1Elihui foli sërish e tha:
2«Dëgjojini, o të urtë, fjalët e mia,
edhe ju, o të ditur, mbamëni vesh,
3pasi veshi fjalët i dallon
e qiellza gjellën e shijon.
4Le ta zgjedhim vetë çfarë është e drejtë,
vetë le ta pranojmë çfarë është e mirë,
5se Jobi tha: “I drejtë unë jam,
por të drejtën ma mori Perëndia.
6I drejtë jam e më bëjnë gënjeshtar,
më shigjetojnë për vdekje e faj nuk kam”.
7Cili njeri është porsi Jobi,
që talljen gjerb si ujin,
8që bredh me punëkeqët
e me rrengshorët shëtit,
9pasi tha me vete: “S'ka dobi njeriu
Perëndinë të kërkojë!”.
10Prandaj, o zemërmirë, dëgjomëni mua:
larg Perëndisë paudhësia,
larg të gjithëpushtetshmit padrejtësia!
11Ai e shpërblen njeriun për çka bën,
e si të sillet njeriu ashtu edhe e gjen.
12Vërtet Perëndia nuk bën ligësi,
të drejtën i gjithëpushtetshmi s'e shtrembëron.
13Kush e caktoi të sundojë tokën
e kush e përftoi tërë gjithësinë?
14Po të merrej me veten e vet
dhe shpirtin e frymën për vete ta mbante,
15njëherësh do të shuhej çdo qenie e gjallë
e njerëzia në pluhur do të kthehej.
16Nëse ke mend, dëgjoje këtë gjë,
vëri vesh tingëllimës së fjalëve të mia.
17A mund të sundojë kush e urren drejtësinë?
E ti do të dënosh të drejtin e fuqishëm,
18atë që mbretit: “Krahëthatë!”, i thotë
e fisnikëve: “Të paudhë!”,
19që princave anën nuk ua mban
e të pasurin s'e vë para të varfrit,
sepse të gjithë dora e tij i bëri.
20Në mes të natës papritur vdesin,
dridhen popujt e kalojnë,
pa vënë dorë njeri rrëzohen trimat.
21Ai sytë tek udhët e njerëzve i mban
e i sheh të gjithë hapat e tyre.
22Nuk ka terr as terrinë
ku të fshihen punëligjtë.
23Kohën askujt s'ia ka caktuar
para Perëndisë në gjyq të dalë.
24I këput të pushtetshmit pa i hetuar
e në vendin e tyre të tjerë vendos.
25Meqë i njeh veprat e tyre,
për një natë i përmbys e i shtyp.
26Si keqbërës i shuplak,
në një vend ku të gjithë i shohin,
27se prej tij u larguan
e i shpërfillën tërë udhët e tij.
28Tek ai mbërriti klithma e skamnorëve,
klithmën e të pikëlluarve e dëgjoi.
29Kur ai hesht, kush e dënon?
Nëse fsheh fytyrën, kush vallë e sheh?
Por mbi kombe e mbi njerëz njëherësh sundon,
30që njeriu i pafe të mos mbretërojë
e as ata që popullit kurth i ngrenë.
31A i thotë kush Perëndisë:
“Pësova e nuk do të mëkatoj.
32Çfarë nuk shoh vetë, ti ma mëso,
në kam bërë keq, më s'do ta bëj”?
33A duhet të të shpërblejë siç mendon ti?
Ti që e shpërfille, vendos pra,
e thuaj çfarë di.
34Njerëzit me mend do të më thonë,
bashkë me njeriun e urtë që më dëgjon:
35“Jobi nuk flet si i ditur,
nuk janë të mençura fjalët e tij”.
36Le të sprovohet Jobi deri në fund,
se si keqbërës përgjigjet.
37Mëkatit i shton kryeneçësinë
e mes nesh mbjell dyshim,
se flet gjithnjë e më shumë kundër Perëndisë».

Currently Selected:

Jobi 34: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in