YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 33

33
Elihui qorton krenarinë e Jobit
1«Tani, o Job, dëgjo çfarë do të them
e tërë fjalëve të mia vëru vesh!
2Ja, unë hap gojën
e gjuha nën qiellzë flet.
3Nga zemra e sinqertë fjalët mua më rrjedhin
e buzët e mia e dinë se flasin me pastri.
4Shpirti i Perëndisë mua më bëri,
fryma e të gjithëpushtetshmit jetën mua ma dha.
5Gjegjmu, po qe i zoti,
gatitu para meje e zër vend.
6Ja, te Perëndia njësoj si ti unë jam,
nga balta edhe unë u nxora.
7Mos ki, pra, frikë prej meje
e trysnia ime mos të të rëndojë.
8Ti fole, po, e zërin e fjalëve të tua
me veshët e mi e dëgjova:
9“Jam i pastër, s'kam bërë shkelje,
nuk kam faj e s'kam ligësi.
10Ja, Perëndia gjen shkas
për të më bërë armik.
11Këmbët në pranga m'i vë,
i mbikëqyr tërë shtigjet e mia”.
12E unë të them: këtu nuk ke të drejtë.
Më i madh se çdo njeri është Perëndia.
13Pse matesh me të
e thua s'të kthen çdo fjalë?
14Një herë flet Perëndia
e të dytën herë nuk rroket.
15Në ëndërr, natën në vegim,
kur mbi njerëzinë kllapia bie,
e ndër shtroja ata dremisin,
16njerëzve ai veshët ua hap
e ua mbush me udhëzime,
17për ta kthyer njerëzinë nga zararet
e për ta zhveshur nga krenia,
18për t'ia shpëtuar shpirtin nga gropa
e jetën nga ushta vringëlluese.
19Ai e qorton me dhimbje në shtrojë
e me dridhje kockash pa pushim,
20aq sa në jetë edhe buka i neveritet
e në shpirt edhe gjella më e këndshme.
21Mishi i tij fishket e s'shihet më
e i dalin kockat që nuk i shiheshin.
22Gropës shpirti i tij iu qas
e vdekjeprurësve jeta e tij.
23Ah, sikur të vijë pranë një engjëll,
një ndër një mijë ndërmjetësues,
për t'i treguar njerëzisë të drejtën,
24për t'i dhënë hir e për të thënë:
“Shpëtoje, o Perëndi, nga gropa ku po bie!
E gjeta unë shpagimin”.
25Më shumë se në rini do të zhdërvillet mishi i tij
e në ditët e djalërisë prapë do të kthehet.
26Perëndisë do t'i lutet e ai do ta pranojë,
me galdim fytyrën do t'ia shohë
e njeriut drejtësinë prapë do t'ia kthejë.
27Do të hasë në njerëz e do t'u thotë:
“Mëkatova, por prapësia që bëra nuk m'u kthye.
28Ai ma shpëtoi shpirtin nga groposja
e tani, i gjallë, mund të kundroj dritën”.
29Ja, të gjitha këto i bën Perëndia,
dy-tri herë, për njeriun,
30për t'ia rinxjerrë nga gropa shpirtin,
jetën me dritë për t'ia shndritur.
31Ki mendjen, Job, e më dëgjo,
ti hesht e unë do të flas.
32Nëse ke diçka për të thënë, përgjigjmu,
fol, se të drejtë dua të të jap.
33Nëse s'ke asgjë, ti më dëgjo,
hesht e unë do të ta mësoj urtinë».

Currently Selected:

Jobi 33: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy