YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 32

32
Ndërhyrja e Elihuit
1Tre burrat nuk iu përgjigjën më Jobit, se atij i dukej vetja i drejtë. 2Atëherë Elihui, biri i Barahel Buzitit, prej fisit të Ramit, u zemërua fort me Jobin, për shkak se e hiqte veten më të drejtë se Perëndia. 3Ai u zemërua shumë edhe me tre shokët e tij, se ata, edhe pse e dënonin Jobin, nuk e kishin gjetur përgjigjen. 4Elihui kishte pritur e nuk kishte folur me Jobin, ngaqë ata ishin më të moshuar. 5Kur Elihui pa se nga goja e tre burrave nuk doli asnjë përgjigje, u zemërua se tepërmi.
6Atëherë Elihui, biri i Barahel Buzitit, u përgjigj e tha:
7«Thashë me vete: “Le të flasë mosha
e urtinë vitet e shumta le ta kumtojnë!”.
8Mirëpo vetëm shpirti e jepka kuptimin,
ai dhe fryma e të gjithëpushtetshmit.
9Nuk janë të urtë veç të moshuarit
e të drejtën s'e kuptojnë veç pleqtë.
10Prandaj unë thashë: “Dëgjomëni!
Dua edhe unë ta shpalos dijen time”.
11Ja, i prita fjalët tuaja,
mençurinë tuaj e dëgjova
kur po kërkonit fjalët.
12Jua vura mendjen, por ja,
askush s'e mposhti Jobin,
fjalëve të tij asnjëri s'iu përgjigj.
13Edhe mos thoni: “Ja çfarë është e urtë:
Perëndia ta mposhtë, e jo njeriu”.
14Asnjë fjalë s'ma drejtoi mua
e s'do t'i përgjigjem me fjalët tuaja.
15U mposhtën e s'u përgjigjën më,
u iku fjala nga goja.
16Unë prita, por ata nuk folën,
u ndalën e s'u përgjigjën më.
17Por edhe unë, unë vetë do të them diçka,
edhe unë do ta shpalos dijen time.
18Dëng unë jam me fjalë
e shpirti më shtyn nga brenda.
19Përbrenda jam si vera që s'merr frymë
e i pëlcet kacekët e rinj.
20Duhet të flas e të shfrej,
ta hap gojën e të gjegjem.
21Nuk do t'i mbaj krah askujt,
as do të lajkatoj njeri,
22se lajkat nuk i njoh
e do të më zhbënte bërësi im».

Currently Selected:

Jobi 32: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in