YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 29

29
Ankimi i Jobit
1Jobi foli sërish e tha:
2«Ah, sikur të më kthente në muajt e dikurshëm,
në ditët kur më ruante Perëndia,
3kur llamba e tij mbi kokën time feksej
dhe ecja nëpër terr me dritën e tij!
4Siç isha në ditët e mia më të mira,
kur në tendën time me Perëndinë kuvendoja,
5kur me mua ende ishte i gjithëpushtetshmi
e djemtë e mi mua më rrethonin,
6kur këmbët me qumësht i laja
e bri meje vaj kullonte shkëmbi!
7Kur dilja te porta e qytetit
e në shesh stolin tim e vija,
8zmbrapseshin të rinjtë sapo më shihnin
e pleqtë më këmbë brofnin,
9fisnikët e ndërprisnin fjalën
dhe gojën mbanin me dorë.
10Princave u ikte zëri
e gjuha për qiellzë u kapej.
11Më mburrte kush me veshë më dëgjonte,
kush me sy më shihte për mua dëshmonte,
12se i ndiha skamnorit rënkimtar
e jetimit që askush s'i ndihte.
13Bekimi i të gremisurit mbi mua zbriste
e zemrës të së vesë ia ktheja galdimin.
14Me drejtësi u ngjesha e ajo më veshi,
për petk e për fes drejtësinë unë pata.
15Unë qeshë sy për të verbrin
e këmbë për të çalin,
16atë unë qeshë për nevojtarin
e mbrojtës për çështjen e të panjohurit.
17Të ligjve ua thyeja nofullat
e prej dhëmbëve ua hiqja prenë.
18Thosha me vete: “Në çerdhen time do të jap shpirt
e do t'i shumoj sa rëra ditët e mia.
19Rrënja ime arrin në ujë,
natën vesa degët m'i mbulon.
20Lavdia ime është përherë e re,
gjithnjë i ri në dorën time harku”.
21Njerëzit më dëgjonin
e heshtur këshillën time prisnin.
22Kur flisja unë, askush nuk fliste më,
se rigonte mbi ta fjala ime.
23Mua më prisnin siç pritet shiu,
me gojën hapur për shiun pranveror.
24U qeshja e nuk më besonin,
por fytyrën e çiltër dot nuk ma zymtonin.
25U tregoja udhën e zija kryet e vendit,
qëndroja si mbret me ushtarë rrethuar
e si ngushëllues i të pikëlluarve».

Currently Selected:

Jobi 29: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in