YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 28

28
Misteri i urtisë
1«Po, argjendit i gjenden xehja,
edhe arit shkritorja.
2Hekuri prej dheut nxirret
e bakri prej gurit del.
3Njeriu e ndal errësirën
e në çdo skaj rrëmon
gurin e territ e të pisës.
4Hapin hurdha larg vendbanimit,
ku nuk shkel këmba e udhëtarit
e, larg njerëzisë, pezull lëkunden.
5Toka prej nga del buka
përposh vlon si zjarr.
6Te gurët e saj gjendet safiri
dhe ari te pluhuri i saj.
7Atë shteg s'e njeh as shpendi grabitqar,
nuk e pikas as syri i skifterit,
8nuk e rreh as egërsira krenare,
nuk e përshkon dot as luani.
9Njeriu ngre dorë kundër granitit,
i përmbys malet që në rrënjë.
10Nëpër shkëmbinj tunele hap
e sytë e tij shquajnë çdo gjë të çmueshme.
11Burimet e lumenjve bën zap
e gjërat e fshehura në dritë i nxjerr.
12Po urtia, prej nga mund të nxirret?
Ku është vallë vendi i mençurisë?
13Njerëzit asaj vlerën nuk ia njohin
e nuk gjendet në dheun e të gjallëve.
14Humnera thotë: “Nuk është tek unë”.
E deti thotë: “Nuk është në mua”.
15Nuk shkëmbehet dot me ar të kulluar,
nuk peshon argjendi sa çmimi i saj.
16Nuk blihet me ar Ofiri,
me oniks apo me zafir të çmuar.
17Nuk krahasohet me ar, as me qelq
e nuk shkëmbehet me enë ari të kulluar.
18As të mos përmenden koralet e kristalet,
se më shumë se perlat vlen urtia.
19Nuk matet me të topazi i Kushit
e nuk paguhet, jo, me ar të kulluar.
20Po urtia, prej nga mund të vijë?
Ku është, vallë, vendi i mençurisë?
21U përvodh nga sytë e tërë të gjallëve,
edhe nga zogjtë e qiellit është fshehur.
22Humnera e vdekja thonë:
“Kemi dëgjuar të flitet për të”.
23Por, Perëndia e njeh udhën e saj,
ai e di ku ndodhet ajo.
24Ai e sheh tokën skaj më skaj
dhe gjithçka nën qiell shikon.
25Kur i dha erës peshën,
kur ujërat mati e peshoi,
26kur shiut rregullin i caktoi
e shtegun vetëtimës gjëmuese,
27atëherë e pa dhe e kumtoi,
e caktoi dhe e shqyrtoi
28e i tha njerëzimit:
“Ja, droja e Zotit, ajo është urtia.
Shmangu nga e keqja e kjo është mençuria”».

Currently Selected:

Jobi 28: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in