Jeremia 48
48
Kundër Moabit
1Për Moabin.
Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit:
«Mjerë Neboja,
se do të shkretohet.
Kirjataimi do të turpërohet e do të pushtohet,
do të turpërohet kështjella e do të thërrmohet.
2Nuk bën më bujë Moabi.
Në Heshbon sendërgjuan ligësi kundër tij:
ejani, ta shuajmë si komb.
Edhe ti, o Madmen, do të heshtësh
e shpata do të të ndjekë.
3Një zë, një britmë nga Horonaimi:
shkretim e rrënim i madh!
4U thërrmua Moabi,
të miturit e tij lëshojnë vikamën.
5Se ngjiten përpjetës së Luhitit
e vajtojnë
edhe në tatëpjetën e Horonaimit
dëgjohen vikamat e rrënimit.
6Mbathjani, shpëtoni veten,
se do të bëheni si Aroeri#48.6 ose: dëllinja; ose: gomari në shkretëtirë.
7Se, pasi besove në veprat e tua e në thesaret e tua,
edhe ti do të pushtohesh,
Kemoshi do të shkojë në mërgim
bashkë me priftërinjtë e me prijësit.
8Një shkatërrimtar do të vijë kundër çdo qyteti
e asnjë qytet nuk do të shpëtojë.
Do të rrënohet lugina
e do të shkatërrohet pllaja,
siç shpalli Zoti.
9Jepini krahë Moabit,
se do të fluturojë.
Qytetet e tij do të shkretohen
e nuk do të ketë banorë në to.
10Mallkuar kush e kryen me plogështi veprën e Zotit
dhe mallkuar kush e ruan shpatën nga gjaku.
11I qetë ishte Moabi që në rini,
i patrazuar mbi llumin e vet,
i pazbrazur nga ena në enë,
se nuk qe shpërngulur,
prandaj i ka mbetur shija
e nuk ka ndryshuar erë.
12Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, e do t'i dërgoj zbrazës, që do ta zbrazin, do t'ia derdhin enët e do t'ia copëtojnë kacekët. 13Moabi do të ketë turp për Kemoshin, siç pati turp shtëpia e Izraelit për Betelin, ku kishte varur shpresën.
14Si mund të thoni: “Ne jemi trima
e burra të fuqishëm për betejë”?
15Po çohet shkatërrimtari i Moabit
e i qyteteve të tij
e lulja e rinisë së tij do të bjerë në thertore,
kumton mbreti që e ka emrin Zot i ushtrive.
16Afër është mjerimi i Moabit,
zezona e tij vjen me shumë ngut.
17Për të vajtoni gjithë ju që e rrethoni,
gjithë ju që ia dini emrin, thoni:
“Si u thye druri i fortë,
shkopi i lavdishëm?”.
18Zbrit nga lavdia
e bano në thatësirë,
o banor i Dibonit,
se po çohet kundër teje shkatërrimtari i Moabit
e ai do t'i rrënojë
qytetet e tua të fortifikuara.
19Rri pranë udhës e vështro,
o ti që banon në Aroer.
Pyet ikanakun e ikanaken
e thuaj: “Çfarë ka ndodhur?”.
20Turpërohet Moabi, se u shemb.
Vajtim e britmë!
Shpallni në Arnon,
se u shkatërrua Moabi.
21Erdhi gjykimi për dheun e rrafshnaltës, për Holonin, për Jahacin, për Mefatin, 22për Dibonin, për Nebonë, për Bet Diblataimin 23për Kirjataimin, për Bet Gamulin, për Bet Meonin, 24për Keriotin, për Bocrahun e për të gjitha qytetet e dheut të Moabit, të largëtat e të afërtat. 25Iu këput briri Moabit e iu thye krahu, kumton Zoti.
26Deheni, se u mbajt më i madh se Zoti, prandaj do të plandoset Moabi në të vjellat e veta e do të bëhet qesharak edhe ai. 27A nuk ishte qesharak Izraeli për ju? A u kap ndër vjedhës, që, sa herë flisje për të, tundje kokën?
28Braktisni qytetet e banoni ndër shkëmbinj,
o banorë të Moabit,
bëhuni si pëllumbi
që e vë folenë buzë humnerës.
29Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit,
e madhe është krekosja e tij,
krenaria e tij, mburrja e tij
e mendjemadhësia e tij.
30E njoh kryeneçësinë e tij,
kumton Zoti,
por e kotë është mburrja e tij
e të kota veprat e tij.
31Prandaj vajtoj për Moabin,
për Moabin mbarë bërtas,
për të gjithë njerëzit e Kir Heresit ofshaj.
32Më shumë se për Jazerin vajtoj për ty,
o vreshti i Sibmahut.
Shermendet e tu mbërrijnë përtej detit,
mbërrijnë gjer në Jazer.
Mbi të korrat e tua e mbi të vjelat e tua
shkatërrimtari po vërsulet.
33U zhduk gëzimi e hareja
nga vreshti e nga dheu i Moabit.
E ndala verën prej torkut,
askush nuk shtyp me gëzim,
gëzimi nuk është më gëzim.
34Nga britmat e Heshbonit deri në Elealeh e deri në Jahac e çojnë zërin, nga Coari në Horonaim e në Eglat Shlishijah, se edhe ujërat e Nimrimit janë shkretuar. 35Do ta zhduk Moabin, kumton Zoti, atë që kushton fli në vend të lartë, që u kushton fli temjani perëndive të vet. 36Prandaj ofshan zemra ime porsi fyell për Moabin, ofshan zemra ime porsi fyell për njerëzit e Kir Heresit, prandaj do ta humbasin begatinë që mblodhën.
37Se do të rruhet çdo kokë e do të pritet çdo mjekër. Çdo dorë është gërvishtur dhe ijët i kanë mbuluar me grathore. 38Mbi të gjitha pullazet e Moabit e mbi të gjitha sheshet e tij gjithçka është vajtim, se e thërrmova Moabin si enën pa vlerë, kumton Zoti. 39Si u shkatërrua! Vajtoni! Si e ktheu kokën i turpëruar Moabi! Moabi u bë qesharak e tmerr për të gjithë ata që e rrethojnë.
40Se kështu thotë Zoti:
ja, si shqiponja flatron
e hap krahët ndaj Moabit.
41Qytetet do të pushtohen
e fortesat do të zaptohen.
Atë ditë, zemra e trimave të Moabit
si zemra e gruas që lind do të jetë.
42Mori fund Moabi e nuk është më popull,
se u krekos kundër Zotit.
43Tmerri, gropa e laku të presin,
o banor i Moabit, kumton Zoti.
44Kush ikën për shkak të tmerrit,
do të bjerë në gropë.
Ai që do të ngjitet nga gropa,
do të zihet në lak,
se do të dërgoj kundër Moabit
vitin e ndëshkimit, kumton Zoti.
45Te hija e Heshbonit ndalen
ikanakët e mekur,
por zjarr shpërthen prej Heshbonit
e flakë prej pallatit të Sihonit
dhe e përpin ballin e Moabit
e kafkën e zhurmëtarëve.
46Mjerë ti, Moab,
u rrënove, o populli i Kemoshit,
se u zunë robër bijtë e tu
e robinja, bijat e tua.
47Por unë do t'i kthej robërit e Moabit
në ditët e fundit, kumton Zoti».
Deri këtu gjykimi i Moabit.
Currently Selected:
Jeremia 48: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020