Jeremia 22
22
1Kështu thotë Zoti: «Zbrit te shtëpia e mbretit të Judës, shpall atje këtë fjalë 2e thuaj: dëgjoje fjalën e Zotit, o mbreti i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyjnë nëpër këto porta. 3Kështu thotë Zoti: zbatoni të drejtën e drejtësinë dhe çlirojeni nga dora e shtypësit atë që e kanë vjedhur. Mos e mundo e mos dhuno ardhacakun, jetimin e të venë. Mos derdh gjak të pafajshëm në këtë vend. 4Sepse, po ta zbatoni me të vërtetë këtë urdhër, mbretërit që ulen mbi fronin e Davidit do të hyjnë përsëri nëpër portat e kësaj shtëpie, kaluar mbi karroca e mbi kuaj, bashkë me shërbëtorët e me popullin e vet. 5Por, nëse nuk do t'i dëgjoni këto fjalë, betohem për veten time, kumton Zoti, se kjo shtëpi do të kthehet në gërmadhë. 6Se kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës:
si Gileadi je ti për mua,
si kreshta e Libanit,
por do të të kthej në shkretëtirë,
në qytet të pabanuar.
7Do të caktoj rrënimtarë kundër teje,
secilin me armët e veta,
do t'i presin cedrat e tu të zgjedhur
e do t'i hedhin në zjarr.
8Shumë kombe do të kalojnë ndanë këtij qyteti e do t'i thonë njëri-tjetrit: “Pse veproi kështu Zoti me këtë qytet madhështor?”. 9E do të përgjigjen: “Sepse kishin braktisur besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së tyre, kishin adhuruar perëndi të tjerë e atyre u kishin shërbyer”».
10Mos qani për të vdekurin
e mos vajtoni për të!
Qani me lot për ikanakun,
se më nuk do të kthehet
për ta parë dheun ku u lind.
Për bijtë e Josisë
11Se kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josisë, mbretit të Judës, që mbretëroi në vend të Josisë, atit të vet, i cili iku nga ky vend: «Nuk do të kthehet më këtu, 12por, në vendin ku e shpërngulën, atje do të vdesë e nuk do ta shohë më këtë dhe.
13Mjerë kush e ndërton shtëpinë me padrejtësi
e katin e epërm pa të drejtë,
që e bën të punojë falas të afërtin
e nuk i jep mëditjen
14dhe thotë: “Do të ndërtoj për vete një shtëpi të madhe,
me dhomat e epërme të gjera”
dhe i hap dritare,
e vesh me cedër
e lyen me të kuqe.
15Vallë, a bëhesh mbret
pse matesh me cedër?
A nuk kishte për të ngrënë e për të pirë yt atë?
Ai veproi me të drejtë e drejtësi,
prandaj i shkoi mbarë,
16i dha të drejtën skamnorit e nevojtarit,
prandaj i shkoi mbarë.
A nuk është kjo mënyra për të më njohur,
kumton Zoti?
17Por ti s'ke sy, as zemër,
përveçse për të përfituar,
për të derdhur gjak të pafajshëm,
për të ushtruar shtypje e dhunë».
18Prandaj, kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josisë, mbretit të Judës:
«Nuk do të vajtojnë për të:
“Mjerë unë, vëllai im; mjerë unë, motra ime!”.
Nuk do të vajtojnë për të:
“Mjerë unë, zotëri; mjerë unë, lartmadhëri!”.
19Do të varroset siç varroset gomari,
do ta zvarrisin e do ta flakin përtej portave të Jerusalemit.
20Ngjitu në Liban e bërtit,
në Bashan ngrije zërin,
bërtit në Abarim,
se u thyen të gjithë dashnorët e tu.
21Fola me ty kur ishe e begatë,
por the: “Nuk do të dëgjoj”.
Kjo ka qenë sjellja jote që në rini,
se nuk e dëgjoje zërin tim.
22Të gjithë barinjtë e tu do t'i kullotë era
e dashnorët e tu do të shkojnë në robëri.
Atëherë do të turpërohesh e do të poshtërohesh
për gjithë ligësinë tënde.
23O ti që banon në Liban,
që e ke vënë folenë ndër cedra,
si do të rënkosh kur të të vijnë mundimet,
dhimbjet si të gruas kur lind?
Kundër Konjahut
24Pasha jetën time, kumton Zoti, edhe po të ishte Konjahu, biri i Jehojakimit, mbretit të Judës, unazë vule në dorën time të djathtë, do të të kisha shqitur që andej. 25Do të të lë në dorë të atyre që kërkojnë të të marrin shpirtin, në dorë të atyre që ua ke frikën, në dorë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e në dorë të kaldenjve. 26Do të të flak ty e nënën që të lindi në një tjetër dhe, ku nuk pate lindur, por ku do të vdesësh. 27Ndërsa në tokën ku ua do shpirti të kthehen, atje nuk do të kthehen.
28A poç i përçmuar e i thërrmuar është ky njeri, Konjahu?
Enë që askush s'e dëshiron?
Pse janë flakur ai e fara e tij, e janë degdisur,
në një tokë që nuk e njohin?
29O tokë, o tokë, o tokë,
dëgjoje fjalën e Zotit!
30Kështu thotë Zoti:
shënojeni këtë njeri si shterpë,
burrë që nuk ia ka dalë në jetë,
se nuk do të dalë prej farës së tij
një burrë që të ulet në fronin e Davidit
e të sundojë përsëri në Judë».
Currently Selected:
Jeremia 22: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020