YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 18

18
Shëmbëlltyra e poçarit
1Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë e i tha: 2«Çohu e zbrit te shtëpia e poçarit e atje do të dëgjosh fjalët e mia». 3Atëherë zbrita te shtëpia e poçarit dhe, ja, po punonte në çark. 4Ena që po bënte prej balte u prish në dorë të poçarit, por ai ia nisi sërish e bëri një tjetër enë, siç ia pati ënda ta bënte.
5Atëherë m'u drejtua fjala e Zotit e më tha: 6«A nuk mund të veproj me ju porsi ky poçar, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti? Ja, porsi balta në dorë të poçarit, kështu jeni ju në dorën time, o shtëpia e Izraelit. 7Nëse vendos, për ndonjë komb a mbretëri, ta zhbij, ta shemb e ta shkatërroj, 8por ai komb, kundër të cilit kisha folur, heq dorë nga paudhësia e vet, atëherë edhe unë pendohem për mynxyrën që kisha shestuar të bëja kundër tij. 9Nëse vendos, për ndonjë komb a mbretëri, ta ngre e ta mbjell, 10por ai bën paudhësi në sytë e mi, duke mos e dëgjuar zërin tim, atëherë edhe unë pendohem për të mirën që kisha premtuar në dobi të tij. 11Tani thuaju burrave të Judës dhe banorëve të Jerusalemit: “Kështu thotë Zoti: ja, unë po gatis një fatkeqësi kundër jush, po shestoj kundër jush, prandaj secili të heqë dorë nga sjellja e mbrapshtë dhe të përmirësojë sjelljet e veprimet e tij”».
Mëkati i Izraelit
12Por ata do të thonë: «Është e kotë, sepse ne do të ndjekim shestimet tona. Secili do të veprojë me kokëfortësi sipas zemrës së vet të ligë».
13Prandaj, kështu thotë Zoti:
«Pyetni ndër kombe
kush ka dëgjuar gjëra të tilla?
Poshtërsi të madhe bëri
virgjëresha e Izraelit.
14A zhduket bora e Libanit
nga shkëmbinjtë përmbi fusha?
A shterohen ujërat e maleve
që rrjedhin plot freski?
15Por, populli im më harroi,
idhujve u kushtuan fli,
u penguan udhëve të veta,
shtigjeve të dikurshme,
për të ecur rruginave,
udhës pa udhë,
16për ta kthyer tokën e vet në mjerim,
në tallje të përhershme.
Kush kalon ndanë saj tmerrohet
e tund kokën.
17Si era e lindjes do t'i përhap
para armiqve të tyre.
Do t'u tregoj shpinën e jo fytyrën
në ditën e zezonës».
Përbetimi kundër Jeremisë
18Atëherë thanë: «Ejani të thurim trille kundër Jeremisë, se nuk do të marrë fund mësimi i ligjit nga prifti, as këshilla nga i urti e as fjala nga profeti. Ejani t'ia ndalim gjuhën e të mos i vëmë vesh asnjë fjale të tij».
19Vëmë vesh, o Zot,
e dëgjoje zërin e paditësve të mi.
20A shpërblehet e mira me të keqe?
Ja, ata më kanë bërë gropën.
Kujtohu si qëndroja para teje
për të folur mirë për ta,
për ta shmangur prej tyre zemërimin tënd.
21Prandaj, falua bijtë e tyre urisë,
hidhi në teh të shpatës.
Gratë e tyre mbetshin beronja e të veja,
burrat e tyre u thershin e vdekshin,
bijtë e tyre i vraftë shpata në betejë!
22U dëgjoftë gjëma nga shtëpitë e tyre,
kur befas të lëshosh mbi ta hordhitë,
se më hapën gropën për të më kapur
e ngritën kurth për këmbët e mia.
23Ti i njeh, o Zot,
të gjitha synimet e tyre vdekjeprurëse kundër meje.
Mos ua fal ligësinë,
mëkatin e tyre mos e hiq sysh.
U rrëzofshin para teje!
Në kohën e zemërimit tënd vepro kundër tyre.

Currently Selected:

Jeremia 18: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in