YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 17

17
Mëkati i Judës
1Mëkati i Judës është shkruar me penë të hekurt, është gdhendur me majë diamanti në rrasën e zemrës së tyre dhe në brirët e altarëve tyre. 2Kështu do t'i kujtojnë bijtë e tyre altarët dhe shtyllat e Asherave të tyre pranë pemëve të harlisura, në kodra të larta, 3në mal e në arë. Pasurinë tënde dhe thesaret e tua do t'i jap për plaçkë, për shkak të mëkatit të faltoreve në vende të larta të trojeve të tua. 4Do të heqësh dorë nga trashëgimia jote, që unë ta pata dhënë, do të të bëj skllav të armiqve të tu në një tokë që nuk e njeh, se e ndeze zemërimin tim që do të jetë në flakë përgjithmonë.
5Kështu thotë Zoti:
«Mallkuar ai burrë që në njeriun beson,
që gjen forcë te qenia njerëzore
e prej Zotit zemrën e largon.
6Do të jetë si shkurrja në stepë
e nuk do të shohë si vjen e mbara,
do të banojë thatinave në shkretëtirë,
në tokë kripore të pabanueshme.
7Bekuar njeriu që në Zotin beson,
besimi i të cilit është Zoti vetë.
8Do të jetë si pemë e mbjellë ndanë ujit,
që rrënjët drejt rrjedhës i shtrin.
Nuk do t'i trembet zhegut që vjen,
e gjethet do t'i harlisen.
Në vitin e thatësirës nuk do ta zërë brenga
e nuk do të reshtë së dhëni fryte.
9Më mashtruese është zemra se çdo gjë,
e pashërueshme është ajo,
kush mund ta kuptojë?
10Unë, Zoti, shqyrtoj zemrën,
hetoj veshkat,
për t'i dhënë secilit sipas sjelljes së vet,
sipas frytit të veprave të veta.
11Si shkurta që ngroh vezët që s'i ka bërë vetë,
ashtu edhe kush mbledh pasuri me padrejtësi:
në gjysmën e ditëve të tij do ta bjerrë
e në fund do të mbetet i marrë».
12Fron i lavdishëm, i lartësuar që në krye të herës,
është vendi i shenjtërores sonë.
13O shpresë e Izraelit, o Zot,
ata që të braktisin do të turpërohen të gjithë,
ata që të kthejnë krahët, mbi pluhur do të shkruhen,
se braktisën burimin e ujit të gjallë: Zotin.
Lutja e Jeremisë
14Shëromë, o Zot, e do të shërohem,
shpëtomë, e do të shpëtohem,
se ti je lavdi im.
15Ja, ata më thonë:
«Ku është fjala e Zotit?
Le të përmbushet, pra».
16Por unë nuk u shporra,
nuk reshta së shërbyeri pas teje si bariu,
ditën e zezë nuk e dëshirova, ti e di,
çfarë doli nga buzët e mia, para teje ishte.
17Mos u bëj tmerr për mua,
ti, streha ime në ditë të ligë.
18U turpërofshin armiqtë e mi,
por mos u turpërofsha unë!
U tmerrofshin ata
e mos u tmerrofsha unë!
Sillua atyre ditën e ligë
e rrënoi me dy rrënime.
Shenjtërimi i të shtunës
19Kështu më tha Zoti: «Shko e qëndro te Porta e Popullit, nëpër të cilën hyjnë mbretërit e Judës e nga e cila dalin, edhe te të gjitha portat e Jerusalemit. 20E thuaju: dëgjojeni fjalën e Zotit, o mbretërit e Judës, mbarë Juda e të gjithë banorët e Jerusalemit, që hyjnë nëpër këto dyer. 21Kështu thotë Zoti: për hir të jetës suaj, kini kujdes të mos mbartni asnjë barrë në ditën e shtunë e mos ta sillni përmes portave të Jerusalemit. 22Mos nxirrni asnjë barrë nga shtëpitë tuaja në ditë të shtunë e mos bëni asnjë punë, por shenjtërojeni ditën e shtunë, siç i urdhërova etërit tuaj. 23Veçse ata nuk dëgjuan e nuk vunë vesh, por u bënë kryeneçë, për të mos e dëgjuar e për të mos e pranuar qortimin.
24Nëse do të më dëgjoni mirë, kumton Zoti, nëse nuk do të sillni asnjë barrë nëpër dyert e këtij qyteti në ditë të shtunë e do ta shenjtëroni ditën e shtunë, pa bërë asnjë punë në të, 25atëherë do të hyjnë nëpër dyert e këtij qyteti mbretër e princa, që ulen mbi fronin e Davidit, me karroca e kuaj, ata e zyrtarët e tyre, burrat e Judës dhe banorët e Jerusalemit, e ky qytet do të banohet përgjithmonë. 26Do të vijnë prej qyteteve të Judës e prej rrethinave të Jerusalemit, prej dheut të Benjaminit, nga Shefelahu, nga kodrinat, nga Negevi, duke mbartur fli shkrumbimi, fli drithi, temjan e duke sjellë fli falënderimi në tempullin e Zotit. 27Por, nëse nuk do të më dëgjoni mua, për të shenjtëruar ditën e shtunë, për të mos mbartur barra e për të mos i sjellë nëpër dyert e Jerusalemit në ditë të shtunë, unë do të ndez në dyert e tij një zjarr që do t'i përpijë kullat e Jerusalemit e nuk do të shuhet».

Currently Selected:

Jeremia 17: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

Video for Jeremia 17