YouVersion Logo
Search Icon

Judita 7

7
Rrethimi i Betulisë
1Të nesërmen Oloferni i dha urdhër tërë ushtrisë së vet dhe mbarë popullit të tij, që kishte bërë marrëveshje me të, të ngrinin fushimin, t'i suleshin Betulisë, të pushtonin qafëmalet në malësi dhe të nisnin luftën kundër izraelitëve. 2Të gjithë luftëtarët e tyre u nisën atë ditë. Forcat e tyre ushtarake ishin njëqind e shtatëdhjetë mijë këmbësorë e dymbëdhjetë mijë kalorës, pa numëruar pajisjet dhe kujdestarët e tyre, një hordhi shumë e madhe. 3Ata fushuan në luginën afër Betulisë, ndanë burimit, dhe u shtrinë gjerë e gjatë nga Dotani në Belbaim e nga Betulia në Kiamon, kundruall Esdrelonit.
4Kur izraelitët e panë hordhinë, u trembën shumë e i thanë njëri-tjetrit: «Tani këta do ta fshijnë mbarë faqen e dheut. Peshën e tyre nuk mund ta mbajnë as malet, as luginat, as kodrinat». 5Rrokën secili armët e veta, ndezën zjarre nëpër kulla dhe bënë rojë gjatë gjithë asaj nate.
6Ditën e dytë Oloferni nxori tërë kalorësinë e vet para izraelitëve që ishin në Betuli. 7Vëzhgoi rrugët malore që shpinin në qytetin e tyre, hetoi burimet e ujit, i zuri, u vuri ushtarë e roja dhe u kthye tek ushtria e vet.
8Atëherë erdhën tek ai të gjithë prijësit e edomitëve, udhëheqësit e moabitëve dhe përgjegjësit ushtarakë të bregdetit e i thanë: 9«Na e dëgjo fjalën, o sunduesi ynë, që të mos pësojë humbje ushtria jote. 10Ky popull izraelit nuk mbështetet në heshtat e veta, por në lartësinë e maleve ku jetojnë, se nuk është e lehtë t'i kapim majat e maleve të tyre. 11Prandaj, o sundues, mos lufto kundër tyre siç bëhet me rregullore lufte e nuk do të bjerë asnjeri nga ushtria jote. 12Ti rri në fushimin tënd dhe mbaj me vete çdo ushtar të ushtrisë sate. Shërbëtorët e tu të marrin në zotërim burimet e ujit që rrjedh rrëzë malit, 13se këtu e merr ujin tërë populli i Betulisë. Ata do të vdesin nga etja e do ta dorëzojnë qytetin. Ne dhe ushtria jonë do të ngjitemi në majat e maleve të afërta e do të fushojmë atje për të parë e për të ruajtur që të mos dalë asnjeri nga qyteti. 14Uria do të mekë ata, gratë dhe fëmijët e tyre. Do të mbeten shtrirë në sheshet para banesave të tyre para se t'u bjerë shpata. 15Atëherë do të hakmerresh ligësisht me ta, se ngritën krye e nuk të pranuan paqësisht».
16Fjalët e tyre i pëlqyen Olofernit dhe të gjithë kujdestarëve të tij, prandaj urdhëroi të veprohej siç kishin thënë ata. 17Ushtria e amonitëve marshoi me pesë mijë asirianë. Fushuan në luginë dhe morën nën zotërim burimet dhe ujësjellësit e izraelitëve. 18Edomitët dhe amonitët u ngjitën e fushuan në malësinë kundruall Dotanit. Ata dërguan disa nga ushtarët e tyre në jug e në lindje, në drejtim të Egrebelit, në afërsi të Kusit, pranë vaut të Mohmurit. Pjesa tjetër e ushtrisë asiriane fushoi në rrafsh dhe mbuloi tërë faqen e dheut. Tendat dhe pajisjet e tyre shtriheshin të panumërta. Ishin një hordhi shumë e madhe.
19Izraelitët i thirrën Zotit, Perëndisë së tyre, se po i linte fryma, ishin të rrethuar nga armiqtë e nuk kishin si t'u iknin. 20Mbarë ushtria asiriane, këmbësoria e tyre, karrocat dhe kalorësia i mbajtën të rrethuar për tridhjetë e katër ditë, deri kur banorëve të Betulisë iu shteruan të gjitha enët e ujit. 21Sternat po u tereshin e nuk kishin ujë të pijshëm as për një ditë, se uji i pijshëm ishte me masë. 22Fëmijët e tyre u këputën, grave dhe të rinjve u binte të fikët nga etja nëpër sheshet e qytetit dhe te portat. Kishin mbetur pa fuqi.
23Atëherë mbarë populli, të rinjtë, gratë e fëmijët u mblodhën tek Uziahu e te prijësit e qytetit, bërtitën me zë të lartë e u thanë pleqve: 24«Perëndia le të gjykojë mes jush e nesh. Na bëtë dëm të madh që nuk bëtë paqe me asirianët. 25Tani nuk ka kush na ndihmon. Perëndia na shiti tek ata, që të shtrihemi para tyre të etur e të rrënuar rëndë. 26Thirrini tani dhe dorëzojani tërë qytetin si pre lufte ushtrisë së Olofernit e tërë forcave të tij. 27Do të ishte më mirë për ne të bëheshim preja e tyre. Do të bëhemi skllevër, por do të shpëtojmë jetën e nuk do të shohim vdekjen e foshnjave tona para syve tanë dhe gratë e fëmijët tanë duke dhënë shpirt. 28Po ju përbejmë për qiell e për dhe. Edhe për Perëndinë, Zotin e etërve tanë, që na ndëshkon për mëkatet tona e për mëkatet e etërve tanë: veproni që sot sipas këtyre fjalëve!».
29Në mes të bashkësisë shpërtheu një vaj i madh dhe i thirrën Zotit Perëndi me zë të lartë. 30Por Uziahu u tha: «Guxim, vëllezër e motra! Të durojmë edhe pesë ditë. Zoti, Perëndia ynë do të na përdëllejë përsëri, se ai nuk na braktis përgjithmonë. 31Por, nëse kalojnë këto ditë e nuk na vjen asnjë ndihmë, do të veproj siç thoni ju». 32Atëherë e shpërndau popullin nëpër vendet e veta dhe ata u ngjitën mbi muret e kullat e qytetit. Gratë dhe fëmijët i nisi në shtëpi. Në qytet kishte pllakosur mjerimi.

Currently Selected:

Judita 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in