YouVersion Logo
Search Icon

Judita 6

6
Akiorin e dorëzojnë tek izraelitët
1Kur u fashit trazira e njerëzve përreth këshillit, Oloferni, kryeushtaraku i ushtrisë asiriane, i tha Akiorit para të gjithë ushtrisë së huaj dhe para të gjithë bijve të Moabit: 2«Kush je ti, Akior, e kush janë ushtarët e paguar të Efraimit, që të profetizosh mes nesh, siç bëre sot, e të na thuash të mos i hapim luftë popullit të Izraelit, gjoja se do t'i mbrojë Perëndia i tyre. Kush është Perëndi përveç Nabukodonosorit? Ai do të dërgojë forcat e veta e do t'i zhbijë nga faqja e dheut. Perëndia i tyre nuk do t'i shpëtojë, 3por ne, shërbëtorët, do t'i rrënojmë si të ishin një njeri i vetëm. Ata nuk mund t'i bëjnë ballë fuqisë së kalorësisë sonë. 4Ne do t'i përmbysim. Malet do të dehen me gjakun e tyre e fushat do të mbushen me të vdekurit e tyre. Pas sulmit tonë nuk do t'u mbetet asnjë gjurmë, por do të rrënohen tërësisht, thotë mbreti Nabukodonosor, zoti i mbarë dheut. Ai foli e nuk do të bjerë asnjë fjalë e ligjërimit të tij. 5Por ti, Akior, i paguar nga amonitët, që i fole këto fjalë në ditën e paudhësisë sate, ti nuk do të ma shohësh më fytyrën që sot e deri ditën kur unë të marr hak kundër këtij fisi që doli nga Egjipti. 6Atëherë, kur të kthehem, shpata e ushtrisë sime dhe heshta e shërbëtorëve të mi do të t'i përshkojë ijët e ti do të biesh me të plagosurit e tyre. 7Shërbëtorët e mi do të të kthejnë në malësi e do të të lënë në njërin prej qyteteve të qafëmaleve. 8Ti nuk do të vdesësh deri kur të marrësh fund bashkë me ta. 9Nëse mban në zemër ndonjë shpresë se ata nuk do të pushtohen, mos e ngrys fytyrën. Unë fola dhe nuk do të bjerë asnjë nga fjalët e mia».
10Oloferni i urdhëroi shërbëtorët e vet, që kujdeseshin për të në tendën e tij, ta kapnin Akiorin, ta çonin në Betuli e t'ua dorëzonin izraelitëve. 11Skllevërit e morën dhe e nxorën jashtë fushimit, në rrafsh, dhe, nga rrafshi, u ngjitën në malësi e mbërritën te burimet poshtë Betulisë. 12Kur njerëzit e qytetit në majë të kodrës i panë, morën armët e dolën nga qyteti në majë të kodrës. Të gjithë hobetarët i penguan të ngjiteshin lart, duke i gjuajtur me gurë. 13Ata u strehuan poshtë kodrës, e lidhën Akiorin, e lanë rrëzë kodrës dhe u kthyen te i zoti i tyre.
14Izraelitët zbritën nga qyteti, iu afruan, e zgjidhën, e çuan në Betuli dhe ia paraqitën prijësve të qytetit, 15që, në atë kohë, ishin Uziahu, biri i Mikait, prej fisit të Simeonit, Kabrisi, biri i Gotonielit dhe Harmisi, biri i Melkielit. 16Thirrën të gjithë pleqtë e qytetit, por në mbledhje rendën edhe të gjithë të rinjtë e gratë. E vunë Akiorin në mes të popullit dhe Uziahu e pyeti se çfarë kishte ndodhur. 17Ai u përgjigj dhe u tregoi ç'kishte ndodhur në këshillin e Olofernit, gjithçka kishte thënë ai mes prijësve të Asirisë dhe fjalët e mëdha që kishte folur Oloferni kundër shtëpisë së Izraelit. 18Populli ra përmbys para Perëndisë e tha me zë të lartë: 19«O Zot, Perëndia i qiellit, shikoje mujshinë e tyre e ki mëshirë për fisin tonë të poshtëruar. Shikoji në fytyrë sot ata që të janë kushtuar ty». 20Pastaj i dhanë zemër Akiorit dhe e përgëzuan shumë. 21Uziahu e mori nga mbledhja në shtëpinë e vet dhe shtroi një gosti për pleqtë. Pastaj, gjatë gjithë asaj nate thirrën në ndihmë Perëndinë e Izraelit.

Currently Selected:

Judita 6: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in