YouVersion Logo
Search Icon

Judita 12

12
Judita në fushimin e Olofernit
1Atëherë Oloferni urdhëroi ta çonin tek enët e argjendta, t'i jepnin të hante ushqimet e tij e të pinte verën e tij, 2por Judita tha: «Nuk do t'i ha, që të mos bëhem pengesë, prandaj të më shërbehen ato që kam sjellë me vete». 3Oloferni iu përgjigj: «Kur të mbarosh çfarë ke marrë me vete, ku mund të marrim për ty ushqime të tilla? Nuk kemi askënd nga fisi yt ndër ne». 4Judita i tha: «Pasha jetën tënde, imzot, shërbëtorja jote nuk do t'i sosë gjërat që ka marrë me vete para se Zoti të kryejë me dorën time çfarë ka vendosur ai». 5Atëherë kujdestarët e Olofernit e çuan te tenda dhe ajo fjeti deri në mesnatë. Rreth kohës së rojës së agimit u ngrit 6dhe i çoi këtë fjalë Olofernit: «Le të urdhërojë imzot ta lejojnë shërbëtoren tënde të dalë për t'u lutur». 7Oloferni i urdhëroi truprojat e tij të mos e pengonin. Ajo ndenji në fushim tri ditë. Çdo natë dilte në luginën e Betulisë dhe lahej te burimi i fushimit. 8Pasi lahej, i lutej Zotit, Perëndisë së Izraelit, që t'ia drejtonte udhën, për t'u dhënë fitoren bijve të popullit të tij. 9Pastaj kthehej e pastër dhe rrinte në tendë deri kur hante ushqimin e vet nga mbrëmja.
Gostia e Olofernit
10Ditën e katërt Oloferni shtroi një gosti vetëm për shërbëtorët e vet, pa ftuar asnjë zyrtar. 11Ai i tha Bagoasit, eunukut që kujdesej për të gjitha punët e tij: «Shko e binde gruan hebreje, që është te ti të vijë me ne, që të hajë e të pijë me ne. 12Do të ishte çnderim po ta linim një grua të tillë të largohej pa shkuar me të. Po të mos e ngacmojmë, do të na përçmojë».
13Bagoasi doli nga Oloferni, hyri tek ajo e i tha: «Të mos ngurrojë kjo çupëlinë bukuroshe të vijë tek imzot e të nderohet me praninë e tij, të pijë verë me ne me ngazëllim e të jetë sot si një grua asiriane që shërben në pallatin e Nabukodonosorit». 14Judita iu përgjigj: «Kush jam unë që ta kundërshtoj timzot? Gjithçka i pëlqen atij do ta kryej pa ngurrim. Kjo do të më japë gëzim deri ditën kur të vdes». 15Ajo u ngrit, u vesh bukur dhe vuri të gjitha stolitë femërore. Shërbëtorja e saj kishte shkuar përpara dhe i kishte shtrirë përdhe, kundruall Olofernit, shtrojat që i kishte dhënë Bagoasi për përdorim të përditshëm, që të hante e shtrirë mbi to.
16Judita hyri dhe u shtri. Olofernit i gulçoi zemra prej saj, iu trazua shpirti dhe e pushtoi një dëshirë e fortë për të shkuar me të. Ai kishte pritur rastin për ta joshur që ditën kur e kishte parë. 17Oloferni i tha: «Pi e gëzohu me ne!». 18Judita iu përgjigj: «Do të pi, imzot, se sot jeta ime u bë e madhërishme më shumë se çdo ditë tjetër që kur kam lindur». 19Dhe hëngri e piu para tij çfarë i kishte përgatitur shërbëtorja. 20Oloferni u kënaq me të dhe piu aq shumë verë sa nuk kishte pirë asnjë ditë tjetër që kur kishte lindur.

Currently Selected:

Judita 12: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in