Judita 11
11
Takimi me Olofernin
1Oloferni i tha: «Guxim, o grua! Mos të ketë frikë zemra jote, se nuk i kam bërë keq askujt që ka zgjedhur t'i shërbejë Nabukodonosorit, mbretit të mbarë dheut. 2Edhe tani, po të mos më kishte përçmuar populli yt, që banon në malësi, nuk do ta kisha ngritur heshtën kundër tyre. Ata ia kanë bërë vetes. 3Pa tregomë, pse ike prej tyre dhe erdhe te ne? Guxim, se do të mbetesh gjallë sonte e më tej. 4Askush nuk do të të bëjë padrejtësi, përkundrazi, do të sillen mirë me ty, si me shërbëtorët e zotit tim, mbretit Nabukodonosor».
5Judita iu përgjigj: «Pranoi fjalët e shërbëtores sate dhe le të flasë para teje shërbëtorja jote. Nuk do t'i them asgjë të rreme timzoti sonte. 6Po të ndjekësh fjalët e shërbëtores sate, Perëndia do të kryejë ndonjë vepër përmes teje dhe imzot nuk do të mbesë pa bërë ç'ka ndërmend. 7Pasha jetën e Nabukodonosorit, mbretit të mbarë dheut, dhe pasha fuqinë e atij që të ka dërguar për të drejtuar gjithkënd, Nabukodonosorit e mbarë shtëpisë së tij, falë teje, i shërbejnë jo vetëm njerëzit, por, falë fuqisë sate, jetojnë për të edhe egërsirat e fushës, kafshët e zogjtë e qiellit. 8Ne kemi dëgjuar për urtinë dhe aftësitë e tua. Në tërë dheun flitet se vetëm ti je i aftë në mbarë mbrerërinë dhe fort i ditur e i mrekullueshëm në drejtimin e luftës. 9Sa për fjalimin e Akiorit në këshillin tënd, i kemi dëgjuar fjalët e tij, se njerëzit e Betulisë ia falën jetën dhe ai u ka treguar gjithçka të ka thënë ty. 10Prandaj, sundues e zot, mos e shpërfill fjalën e tij, por mbaje parasysh, se është e vërtetë. Fisi ynë nuk mund të ndëshkohet e shpata nuk mund t'i mposhtë, nëse nuk mëkatojnë kundër Perëndisë së tyre. 11Tani, që imzot të mos shpartallohet e të mos dështojë, ata do t'i zërë vdekja, se kanë rënë në mëkate të tilla që e zemërojnë Perëndinë e tyre kur bëjnë gjëra pa vend. 12Meqë u ka mbaruar ushqimi dhe u është shteruar uji, kanë vendosur të therin bagëtitë dhe kanë menduar të përdorin gjithçka që Perëndia u ka ndaluar me ligj ta hanë. 13Kanë vendosur të ushqehen me të lashtat e grurit e me të dhjetën e verës e të vajit që e kishin ndarë e shenjtëruar për priftërinjtë që shërbejnë para Perëndisë sonë në Jerusalem, diçka që askush nga populli nuk mund të prekë me dorë. 14Kanë dërguar lajmëtarë në Jerusalem, për të marrë lejen e këshillit të pleqve, por edhe banorët e atjeshëm kanë bërë të njëjtën gjë. 15Kur të marrin përgjigjen e të veprojnë ashtu, po atë ditë do të të dorëzohen ty e do të marrin fund. 16Prandaj unë, shërbëtorja jote, duke i ditur të gjitha këto, ika prej tyre dhe Perëndia më ka dërguar të kryej me ty vepra, me të cilat do të habitet mbarë dheu dhe ata që do t'i dëgjojnë. 17Shërbëtorja jote ka nderim për Perëndinë dhe i shërben Perëndisë së qiellit natë e ditë. Tani do të rri te ti, imzot, por çdo natë shërbëtorja jote do të dalë në luginë për t'iu lutur Perëndisë. Kur t'i bëjnë mëkatet e tyre, ai do të më tregojë. 18Atëherë do të vij të të njoftoj e ti do të dalësh me mbarë ushtrinë. Askush prej tyre nuk do të të bëjë ballë dot. 19Unë do të të prij përmes Judesë, derisa të mbërrij kundruall Jerusalemit, e në mesin e tij do të vendos fronin tënd. Ti do t'i dëbosh si delet pa bari e para teje nuk do të lehë as qeni. Këto më janë thënë si paralajmërim. Më janë shpallur mua dhe jam dërguar të të vë në dijeni».
20Olofernit dhe të gjithë shërbëtorëve të tij i pëlqyen këto fjalë. Ata u mahnitën me urtinë e saj e thanë: 21«Nuk ka një grua të tillë, skaj më skaj dheut, as për hijeshi, as për fjalë të mençura». 22Oloferni i tha: «Perëndia bëri mirë që të nisi para popullit të vet, që neve të na forcohen duart e ata që e kanë përçmuar zotërinë tim të marrin fund. 23Ti je e bukur nga pamja dhe e aftë për të folur. Nëse vepron siç fole, Perëndia yt do të jetë Perëndia im e ti do të banosh në pallatin e mbretit Nabukudonosor. Do të bëhesh e njohur në mbarë dheun».
Currently Selected:
Judita 11: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020