YouVersion Logo
Search Icon

Gjyqtarët 9

9
Mbretërimi i Abimelekut
1Abimeleku, biri i Jerubaalit, shkoi në Shekem te vëllezërit e nënës së tij, foli me ta dhe me gjithë familjet e klanit të atit të tij e u tha: 2«Bisedoni me të gjithë fisnikët e Shekemit e i pyesni: “Ç'është më mirë për ju? T'ju sundojnë shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit apo t'ju sundojë vetëm njëri?”. Mos harroni se unë jam mishi e gjaku juaj». 3Vëllezërit e nënës së tij ua thanë këto fjalë të gjithë fisnikëve të Shekemit dhe Abimeleku u hyri në zemër, sepse thoshin: «Është vëllai ynë». 4Ata i dhanë Abimelekut shtatëdhjetë monedha argjendi nga tempulli i Baal Beritit e ai pagoi me to disa njerëz të ulët e të pafytyrë që i shkuan pas. 5Pastaj shkoi në shtëpinë e të atit në Ofrah dhe vrau vëllezërit e vet, shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit, mbi të njëjtin gur. Shpëtoi vetëm Jotami, djali i vogël i Jerubaalit, sepse u fsheh. 6Fisnikët e Shekemit dhe të gjithë banorët e Bet Milosë u mblodhën te lisi i shtyllës së Shekemit dhe e shpallën Abimelekun mbret.
Gjëegjëza e Jotamit
7Kur e njoftuan Jotamin për këtë, ai shkoi e u ngjit në majë të malit të Gerizimit, ngriti zërin e tha: «Më dëgjoni ju, o zotërit e Shekemit, që Perëndia t'ju dëgjojë:
8u nisën dikur pemët
një mbret për të vajosur
e i thanë ullirit:
“Bëhu mbreti ynë”.
9Ulliri iu përgjigj:
“Të heq dorë nga vaji,
që zotër e njerëz nderon,
e mbi pemë të valëvitem?”.
10I thanë pemët fikut:
“Bëhu ti mbreti ynë”.
11E fiku u tha atyre:
“Të lë ëmbëlsinë,
prodhimin tim të këndshëm,
e mbi pemë të valëvitem?”.
12I thanë pemët hardhisë:
“Bëhu ti mbreti ynë”.
13E hardhia u tha:
“Të lë verën,
që zotër e njerëz gëzon,
e mbi pemë të valëvitem?”.
14Tërë pemët i thanë ferrës:
“Eja ti e bëhu mbreti ynë”.
15E ferra u tha pemëve:
“Nëse vërtet më bëni mbretin tuaj,
ejani e zini strehë nën hijen time.
Në mos, zjarri daltë prej ferrës
e përpiftë cedrat e Libanit!”».
16Jotami u tha: «Mos vallë vepruat drejt e me ndershmëri kur shpallët mbret Abimelekun? A u sollët mirë me Jerubaalin dhe shtëpinë e tij? A ia shpërblyet të mirat që ju bëri? 17Ati im luftoi për ju dhe e vuri jetën e tij në rrezik, që t'ju shpëtonte nga zgjedha e midianitëve. 18Sot ju ngritët krye kundër shtëpisë së atit tim, vratë të gjithë bijtë e tij, shtatëdhjetë burra mbi një gur të vetëm dhe shpallët për mbret Abimelekun, të birin e shemrës, ngaqë është vëllai juaj. 19Nëse sot keni vepruar drejt e me ndershmëri ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij, e gëzofshi Abimelekun dhe ai ju gëzoftë juve! 20Por nëse nuk është ashtu, zjarri daltë nga Abimeleku e i djegtë të gjithë fisnikët e Shekemit dhe të Bet Milosë! Zjarri daltë edhe nga fisnikët e Shekemit dhe të Bet Milosë dhe e djegtë Abimelekun!». 21Pastaj Jotami mori arratinë, shkoi me nxitim në Beer e banoi aty, për shkak të Abimelekut, vëllait të tij.
Shekemi kundër Abimelekut
22Abimeleku sundoi mbi Izraelin për tre vjet. 23Perëndia dërgoi një shpirt të lig ndasie midis Abimelekut dhe fisnikëve të Shekemit dhe fisnikët e Shekemit e tradhtuan Abimelekun. 24Kështu, dhuna e ushtruar ndaj shtatëdhjetë bijve të Jerubaalit dhe gjaku i tyre do të binte mbi Abimelekun, vëllanë e tyre, që i vrau, dhe mbi fisnikët e Shekemit, që e ndihmuan t'i vriste. 25Fisnikët e Shekemit ngritën prita nëpër majat e maleve për të plaçkitur të gjithë ata që kalonin atyre udhëve. Këtë e mori vesh edhe Abimeleku.
26Gaali, biri i Ebedit, erdhi në Shekem e u vendos aty bashkë me vëllezërit. Fisnikët e Shekemit patën besim tek ai. 27Ata dolën nëpër ara, volën rrushin nga vreshtat e tyre, e shtrydhën dhe bënë festë. Pastaj shkuan në shtëpinë e perëndive të tyre, hëngrën, pinë dhe mallkuan Abimelekun. 28Gaali, biri i Ebedit, tha: «Çfarë na qenka Abimeleku për Shekemin, që t'i shërbejmë atij? A nuk është ai biri i Jerubaalit? A nuk është Zebuli mëkëmbës i tij? Më mirë t'u shërbejmë burrave të Hamorit, atit të Shekemit. E përse u dashka t'i shërbejmë atij njeriu? 29Po të kishte besim tek unë ky popull, do ta kisha hequr qafe Abimelekun e do t'i thosha: “Mblidh sa më shumë ushtri e dil për luftë!”».
30Zebuli, qeveritari i qyteti, i dëgjoi fjalët e Gaalit, birit të Ebedit, dhe u ndez nga zemërimi. 31I dërgoi lajmëtarë Abimelekut në Tormah që t'i thoshin: «Gaali, biri i Ebedit, dhe vëllezërit e tij kanë ardhur në Shekem dhe po nxisin qytetin kundër teje. 32Prandaj, ngrihu qëmenatë bashkë me luftëtarët që ke me vete e zër pritë në fushë. 33Në mëngjes, kur të lindë dielli, sulmoje qytetit dhe kur Gaali me burrat e tij të dalin për sulm, bëj çfarë të mundesh kundër tij».
34Abimeleku dhe të gjithë burrat që ishin me të u ngritën natën dhe zunë pritë pranë Shekemit, të ndarë në katër grupe. 35Kur Gaali, biri i Ebedit, doli e qëndroi te porta e qytetit, Abimeleku dhe burrat që ishin me të dolën nga prita. 36Gaali i pa e i tha Zebulit: «Shiko, disa njerëz po zbresin nga majat e maleve». Zebuli i tha: «Është hija e maleve dhe të duket sikur janë njerëz». 37Por Gaali tha përsëri: «Shiko! Janë njerëz ata që po zbresin nga lartësia në mes të vendit dhe një grup tjetër po zbret udhës së Lisit të Shortarëve». 38Zebuli i tha: «Ku i ke tani fjalët e mëdha që thoshe: “Kush qenka Abimeleku që t'i shërbejmë atij?”. Ky është populli që ti përçmove. Dil, pra, tani e lufto kundër tij». 39Atëherë Gaali doli në krye të fisnikëve të Shekemit dhe luftoi kundër Abimelekut. 40Por Abimeleku e theu Gaalin, i cili mori arratinë para tij. Shumë u plagosën për vdekje derisa arritën te portat e qytetit. 41Abimeleku u vendos në Arumah, ndërsa Zebuli e dëboi Gaalin me gjithë vëllezërit e tij dhe nuk i la të banonin më në Shekem.
42Të nesërmen populli i Shekemit doli nëpër ara dhe për këtë njoftuan Abimelekun. 43Ai mori luftëtarët e vet, i ndau në tre grupe e i vuri të zënë pusi në arë. Kur pa popullin që po dilte nga qyteti, i sulmoi dhe i vrau. 44Abimeleku me grupin e vet të luftëtarëve u hodhën në sulm dhe rrethuan portat e qytetit. Dy grupet e tjerë sulmuan të gjithë ata që ishin nëpër ara e i vranë. 45Abimeleku e sulmoi qytetin gjatë gjithë ditës, e pushtoi dhe i vrau banorët e tij. Pastaj e rrafshoi dhe i hodhi kripë.
46Fisnikët e Kullës së Shekemit e morën vesh dhe shkuan në qilarin e tempullit të El Beritit. 47Kur e njoftuan Abimelekun se të gjithë fisnikët e Kullës së Shekemit ishin mbledhur aty, 48ai u ngjit në malin Calmon me gjithë luftëtarët e tij dhe preu një degë peme me sëpatë. E mori degën dhe e vuri mbi shpatulla. Pastaj u tha edhe burrave që ishin me të: «Shpejt, bëni siç bëra unë». 49Të gjithë luftëtarët prenë nga një degë dhe shkuan pas Abimelekut. I hodhën degët mbi qilar dhe i vunë flakën. Të gjithë banorët e Kullës së Shekemit vdiqën nga flakët. Ishin rreth një mijë burra e gra.
50Mandej Abimeleku shkoi në Tebec, e rrethoi dhe e pushtoi. 51Në mes të qytetit gjendej një kullë e fortifikuar. Të gjithë burrat e gratë dhe të gjithë fisnikët e qytetit shkuan të strehoheshin atje. E mbyllën derën nga pas e u ngjitën në tarracën e kullës. 52Abimeleku shkoi te kulla dhe e sulmoi. Pastaj iu afrua hyrjes së kullës për t'i vënë flakën, 53por një grua i hodhi një gur mokre Abimelekut në kokë dhe i çau kafkën. 54Abimeleku thirri menjëherë djaloshin që i mbante armët e i tha: «Nxirr shpatën dhe vritmë, që të mos thonë: “E vrau një grua”». Djaloshi e shpoi tejpërtej e ai vdiq. 55Kur izraelitët panë se Abimeleku kishte vdekur, u kthye secili në shtëpinë e vet. 56Perëndia ia shpagoi Abimelekut të keqen që bëri kundër të atit, kur vrau shtatëdhjetë vëllezërit e vet. 57Po ashtu, Perëndia ua shpagoi edhe banorëve të Shekemit ligësinë që kishin bërë dhe mbi ta ra mallkimi i Jotamit, birit të Jerubaalit.

Currently Selected:

Gjyqtarët 9: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in