Gjyqtarët 8
8
Pakënaqësia e fisit të Efraimit
1Burrat e Efraimit i thanë Gideonit: «Ç'na bëre! Përse nuk na thirre edhe ne kur shkove për të luftuar kundër midianitëve?». Dhe u grindën keq me të. 2Ai u tha: «E ç'paskam bërë unë në krahasim me ju? A nuk është qëmtimi i Efraimit më i mirë se vjelja e Abiezerit? 3Perëndia jua dorëzoi juve Orebin dhe Zebin, princat e Midianit. E ç'bëra unë në krahasim me ju?». Kur u tha këto fjalë, zemërimi i tyre ndaj tij u fashit.
4Gideoni mbërriti në Jordan dhe bashkë me treqind burrat që ishin me të, kaloi në bregun tjetër. Megjithëse të lodhur, ata vazhduan të ndiqnin armikun. 5Atëherë ai u tha banorëve të Sukotit: «Ju lutem, jepuni bukë burrave që më shoqërojnë, se janë këputur nga lodhja. Unë po ndjek Zebahun dhe Calmunaun, mbretërit e Midianit». 6Krerët e Sukotit iu përgjigjën: «Mos e ke shtënë gjë në dorë Zebahun dhe Calmunaun, që t'i japim bukë ushtrisë tënde?». 7Gideoni u tha: «Për këtë që thatë, kur Zoti të m'i ketë dorëzuar Zebahun dhe Calmunaun, do t'jua bëj copë mishin me murrizat dhe ferrat e shkretëtirës». 8Prej aty, Gideoni u ngjit në Penuel dhe u kërkoi të njëjtën gjë, por edhe banorët e Penuelit iu përgjigjën si banorët e Sukotit. 9Atëherë Gideoni u tha edhe banorëve të Penuelit: «Kur të jem kthyer shëndoshë e mirë, do ta rrënoj këtë kullë».
10Ndërkohë Zebahu dhe Calmunau ishin në Karkor me mbarë ushtrinë e tyre. Nga gjithë ushtria e popujve të lindjes kishin mbetur rreth pesëmbëdhjetë mijë burra, ndërsa njëqind e njëzet mijë luftëtarë kishin rënë në luftë. 11Gideoni u ngjit udhës së endacakëve që banonin nëpër tenda, në lindje të Nobahut dhe Jogbehahut, dhe sulmoi fushimin e armikut, ndonëse fushimi ishte i mbrojtur mirë. 12Zebahu dhe Calmunau morën arratinë, por Gideoni i ndoqi pas. I kapi që të dy mbretërit e Midianit, Zebahun e Calmunaun, dhe e shpartalloi mbarë ushtrinë e tyre.
13Kur Gideoni, biri i Joashit, po kthehej nga lufta nëpër të përpjetën e Heresit, 14kapi një djalosh nga Sukoti dhe e mori në pyetje. Djaloshi i dha me shkrim emrat e krerëve dhe të pleqve të Sukotit, gjithsej shtatëdhjetë e shtatë burra. 15Gideoni shkoi te banorët e Sukotit e u tha: «Ja ku i keni Zebahun e Calmunaun, për të cilët u tallët me mua kur më thatë: “Mos e ke shtënë gjë në dorë Zebahun e Calmunaun, që t'i japim bukë ushtrisë sate?”». 16Pastaj i mori pleqtë e qytetit dhe u dha një mësim të mirë burrave të Sukotit, duke i torturuar pleqtë me murrizat dhe me ferrat e shkretëtirës. 17Ai rrënoi edhe kullën e Penuelit dhe banorët e qytetit i vrau.
18Gideoni i tha Zebahut dhe Calmunaut: «Si ishin burrat që vratë në Tabor?». Ata i thanë: «Ishin si ti. Secili prej tyre kishte pamjen e një biri mbreti». 19Gideoni u tha: «Ata ishin vëllezërit e mi, bijtë e nënës sime. Për Zotin, po t'i kishit lënë gjallë, nuk do t'ju vrisja». 20Pastaj i tha Jetrit, djalit të tij të madh: «Ngrihu e vriti!». Por Jetri nuk e nxori shpatën, se kishte frikë, ngaqë ishte ende i vogël. 21Atëherë Zebahu dhe Calmunau i thanë Gideonit: «Ngrihu ti vetë e na godit, sepse i takon një burri të fortë ta bëjë». Gideoni u ngrit, e vrau Zebahun dhe Calmunaun dhe mori varëset që mbanin devetë e tyre në qafë.
Vdekja e Gideonit
22Izraelitët i thanë Gideonit: «Bëhu sundimtari ynë, ti dhe biri yt, sepse na shpëtove nga dora e midianitëve». 23Gideoni u tha: «As unë e as biri im nuk do të bëhemi sundimtarët tuaj, sepse sundimtari juaj është Zoti». 24E u tha: «Prej jush kërkoj vetëm një gjë, që secili prej jush të më japë nga një vath prej plaçkës së vet». Midianitët mbanin vathë ari, sepse ishin ishmaelitë. 25Ata i thanë: «Po t'i japim me kënaqësi». Shtrinë një shtrojë përtokë dhe secili i dha nga një vath prej plaçkës së vet. 26Pesha e vathëve që kërkoi Gideoni ishte rreth njëzet kilogramë ar, përveç stolive, varëseve dhe veshjeve të purpurta që kishin mbajtur mbretërit e Midianit dhe përveç varëseve që mbanin devetë e tyre në qafë. 27Gideoni bëri me to një efod dhe e vendosi në qytetin e tij, në Ofrah. I gjithë Izraeli kurvëroi kundër Zotit për shkak të efodit, i cili u bë kurth për Gideonin dhe për shtëpinë e tij. 28Midianitët iu nënshtruan izraelitëve dhe nuk e ngritën më kokën lart. Vendi pati paqe për dyzet vjet, gjatë gjithë jetës së Gideonit.
Rënia në idhujtari
29Jerubaali, biri i Joashit, u kthye për të jetuar në shtëpinë e vet. 30Gideoni pati shtatëdhjetë bij të gjakut të tij, sepse kishte pasur shumë gra. 31Shemra që kishte në Shekem i lindi një djalë që e quajti Abimelek. 32Gideoni, biri i Joashit, vdiq në moshë të thyer dhe u varros në varrin e Joashit, atit të tij, në Ofrah të abiezeritëve.
33Pas vdekjes së Gideonit, izraelitët filluan të kurvëronin me Baalin dhe zgjodhën për perëndi të tyre Baal Beritin. 34Izraelitët nuk u kujtuan më për Zotin, Perëndinë e tyre, që i kishte shpëtuar nga dora e të gjithë armiqve që i rrethonin, 35dhe nuk u treguan mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerubaalit, domethënë Gideonit, për gjithë të mirat që i kishte bërë Izraelit.
Currently Selected:
Gjyqtarët 8: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020