Isaia 60
60
Lavdia e Jerusalemit
1Ngrihu e shkëlqe,
se po vjen drita jote!
Lavdia e Zotit
mbi ty po agon!
2Ja, tokën po e mbulon terri,
popujt errësira e thellë,
ndërsa mbi ty do të agojë Zoti,
lavdia e tij mbi ty do të shfaqet.
3Drejt dritës sate do të ecin kombet,
mbretërit drejt shkëlqimit të agimit tënd.
4Ngriji sytë përreth e shiko,
janë mbledhur të gjithë e po vijnë te ti.
Prej së largu do të vijnë bijtë e tu,
bijat e tua do të sillen në krahë.
5Atëherë do të shohësh e do të shkëlqesh,
zemra fort do të të rrahë,
se pasuritë e detit mbi ty do të derdhen
e të mirat e kombeve te ti do të vijnë.
6Një mori devesh do të të mbulojë,
gamile prej Midianit dhe Efahut,
të gjithë do të vijnë prej Shebës.
Ar e temjan do të mbartin
e do të shpallin lavdërimet e Zotit.
7Gjithë dhentë e Kedarit do të mblidhen te ti,
deshtë e Nebajotit do të jenë në shërbimin tënd.
Do të kushtohen si fli e pëlqyeshme mbi altarin tim
e do ta madhëroj më shumë tempullin tim të lavdishëm.
8Ç'janë ato që fluturojnë si retë,
porsi pëllumbat drejt foleve të tyre?
9Ja, ishujt e largët tek më presin,
me në krye anijet e Tarshishit.
Bijtë e tu prej së largu do t'i sjellin,
me vete do të mbajnë argjendin e arin e tyre,
për nder të emrit të Zotit, Perëndisë tënd,
për nder të të shenjtit të Izraelit, që të dha lavdi.
10Të huajt do t'i ndërtojnë muret e tua,
mbretërit e tyre do të të shërbejnë,
se vërtet në zemërimin tim të ndëshkova,
por nga mirësia ime pata mëshirë për ty.
11Portat e tua do të rrinë përherë hapur,
nuk do të mbyllen as ditën, as natën,
që të të sjellin pasurinë e kombeve,
me mbretërit e tyre në krye.
12Kombet dhe mbretëritë që nuk do të të shërbejnë,
do të marrin fund.
Po, ato kombe do të rrënohen krejt.
13Te ti do të vijë lavdia e Libanit,
qiparisat e pishat, bashkë me bredhat,
për të stolisur vendin e shenjtërores sime,
të lavdishëm do ta bëj vendin ku shkelin këmbët e mia.
14Kokulur do të vijnë te ti
bijtë e atyre që të shtypnin,
përmbys do të bien te këmbët e tua
të gjithë ata që të përçmonin,
do të të quajnë «Qyteti i Zotit»,
«Sioni i të shenjtit të Izraelit».
15E braktisur dhe e urryer ishe
e askush nëpër ty s'kalonte,
por ja, po të bëj madhështi të amshuar,
gëzim, brez pas brezi.
16Do të pish qumështin e kombeve,
prej begatisë së mbretërve do të thithësh.
Do ta marrësh vesh se unë jam Zoti,
shpëtimtari e shpenguesi yt,
i forti i Jakobit.
17Në vend të bronzit, do të sjell ar,
në vend të hekurit, argjend,
bronz, në vend të drurëve,
hekur, në vend të gurëve.
Paqen do të caktoj si udhëheqësin tënd,
drejtësinë si sunduesin tënd.
18Në vendin tënd për dhunë më s'do të flitet
as për shkatërrim e rrënim, në trojet e tua.
«Shpëtim» do t'i quash muret e tua,
«Lavdërim», portat e tua.
19Nuk do të të ndriçojë më dielli ditën,
as hëna nuk do të të shkëlqejë natën,
se Zoti do të jetë drita jote e amshuar,
Perëndia, shkëlqimi yt.
20Dielli yt nuk do të perëndojë më
e hëna jote nuk do të erret më,
se Zoti do të jetë drita jote e amshuar
dhe ditët e vajtimit do të marrin fund.
21Mbarë populli yt do të jetë i drejtë
dhe vendin do ta trashëgojë në amshim.
Ata janë fara që unë mbolla,
vepra e duarve të mia, lavdia ime.
22I vogli do të bëhet një mijë,
i pakti, një komb i fuqishëm.
Vetë unë, Zoti, në kohën e duhur,
do ta bëj shpejt këtë.
Currently Selected:
Isaia 60: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020