YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 59

59
Mëkati dhe pendesa
1Jo, nuk është shkurtuar dora e Zotit,
që të mos shpëtojë!
Jo, nuk është rënduar veshi i tij,
që të mos dëgjojë!
2Ishin paudhësitë tuaja që ndarje sollën
mes jush e Perëndisë tuaj.
Ishin mëkatet tuaja që ia mbuluan fytyrën prej jush,
që të mos ju dëgjonte.
3Duart tuaja janë të lyera me gjak,
gishtërinjtë tuaj me paudhësi,
buzët tuaja kanë thënë gënjeshtra,
gjuha juaj ka belbëzuar fajësi.
4Askush nuk bën padi me drejtësi,
s'ka njeri që të gjykojë me vërtetësi.
Besojnë në kotësi e thonë gënjeshtra,
ngjizin ligësi e pjellin paudhësi.
5Thyejnë vezët e nepërkës, që të çelin,
tjerrin pëlhura merimange.
Kush ha nga vezët e tyre, vdes,
prej vezës së thyer lind nepërka.
6Pëlhurat e tyre s'vlejnë për rroba,
me prodhimet e tyre s'mbulohen dot.
Vepra e tyre është vepër paudhësie,
në duar mbartin frytet e dhunës.
7Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes,
nxitojnë të derdhin gjak të pafajshëm,
mendimet e tyre janë mendime paudhësie,
shkretim e rrënim janë shtigjet e tyre.
8Udhën e paqes nuk e njohin,
në hapat e tyre s'ka drejtësi,
shtigjet i kanë bërë tërë dredha,
kush shkel mbi to, s'ka paqe.
9Prandaj qëndron larg nesh e drejta,
drejtësia s'arrin te ne.
Pritnim dritën, por ja tek erdhi errësira,
pritnim ndriçimin e ja tek ecim në terr.
10Ecim duke prekur murin si i verbëri,
si ata që s'kanë sy ecim verbazi.
Pengohemi në mes të ditës si të ishte muzg,
mes të gjallëve endemi si të vdekur.
11Ulërijmë të gjithë si arinjtë,
gugatim thekshëm si pëllumbat.
Presim drejtësinë, por më kot,
shpëtimi është larg nesh.
12Të shumta janë shkeljet tona para teje,
mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh.
Po, shkeljet tona janë gjithmonë me ne,
paudhësitë tona i njohim mirë.
13U ngritëm kundër dhe e mohuam Zotin,
i kthyem shpinën Perëndisë tonë.
Folëm për shtypje e për kryengritje,
në zemër ngjizëm e pëshpëritëm fjalë mashtrimi.
14Kështu e drejta u zmbraps,
drejtësia larg qëndroi,
e vërteta u pengua shesheve,
ndershmëria brenda s'mund të hyjë.
15Kështu, e vërteta po humbet
dhe ai që i shmanget së keqes
bie pre e plaçkitjes.
Zoti pa e s'i pëlqeu,
se nuk ka më drejtësi.
16Pa se nuk u gjend askush,
u habit që askush s'ndërhyri.
Prandaj e ndihmoi me krahun e tij,
e mbështeti me drejtësinë e tij.
17Si parzmore veshi drejtësinë,
mbi kokë vuri përkrenaren e shpëtimit,
u vesh me petkat e hakmarrjes,
u mbështoll me zellin si me rrobë.
18Do t'i shpaguajë sipas veprave të tyre,
zemërim kundërshtarëve, ndëshkim armiqve,
do t'i shpaguajë edhe popujt e ishujve.
19Në perëndim do ta druajnë emrin e Zotit,
në lindje të diellit, lavdinë e tij,
kur ai të vijë si përrua i rrëmbyer
që e shtyn fort era e Zotit.
20Një shpengues do të vijë në Sion
për bijtë e Jakobit që pendohen për paudhësinë,
kumton Zoti.
21Sa për mua,
kjo është besëlidhja ime me ta, thotë Zoti:
Shpirti im do të jetë mbi ty
dhe fjalët e mia, që i vura në gojën tënde,
nuk do të largohen as prej gojës sate,
as prej gojës së pasardhësve të tu
e as prej gojës së bijve të pasardhësve të tu,
thotë Zoti,
që tani e deri në amshim.

Currently Selected:

Isaia 59: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in