Isaia 36
36
Pushtimi i Sankeribit
1Në vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të Ezekisë, Sankeribi, mbreti i Asirisë, sulmoi qytetet e fortifikuara të Judës dhe i pushtoi. 2Mbreti i Asirisë dërgoi nga Lakishi te mbreti Ezeki në Jerusalem kreun e ushtrisë#36.2 ose: Rabshakehun me një ushtri të madhe. Ai u ndal tek ujësjellësi i pellgut të sipërm që gjendet në udhën që të çon në Arën e Rrobalarësit. 3Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, dolën për ta takuar. 4Kreu i ushtrisë së Asirisë u tha: «Thuajini Ezekisë: kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: ku e gjen gjithë këtë besim? 5Them se fjalët e gojës janë këshillimi e forca që duhen për luftë. Ku e ke varur shpresën, që guxon të ngresh krye kundër meje? 6Mos shpreson gjë tek Egjipti, tek ai kallam i thyer, mbi të cilin, nëse mbështetet njeri, i çahet e i shpohet dora? I tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për ata që shpresojnë tek ai. 7Apo mos do të më thuash se shpreson te Zoti, Perëndia juaj? Por, a nuk ishte Ezekia ai që shkatërroi faltoret në vende të larta dhe altarët e tyre? A nuk ishte ai që e urdhëroi Judën e Jerusalemin të adhuronin vetëm para këtij altari në Jerusalem? 8E tani, vër këtë bast me zotërinë tim, mbretin e Asirisë: ai të jep dy mijë kuaj, po arrite të gjesh kalorës për ta. 9E si do ta mundësh qoftë edhe qeveritarin më të vogël të zotërisë tim? Apo shpreson tek Egjipti për kuaj e kalorës? 10A mos kujton se kam ardhur pa dëshirën e Zotit për ta shkatërruar këtë tokë? Zoti vetë më tha ta sulmoja këtë tokë e ta shkatërroja».
11Atëherë Eliakimi, Shebnau e Joahu i thanë kreut të ushtrisë: «Të lutemi, fol aramaisht me ne, shërbëtorët e tu, se e kuptojmë, e mos fol judaisht, se të dëgjon populli, që është mbi mure». 12Por kreu i ushtrisë u tha: «Mendoni se zotëria im më dërgoi t'ua them këto fjalë vetëm juve e zotërisë suaj? Le t'i dëgjojnë edhe këta burra që rrinë mbi mure, sepse së shpejti kanë për të ngrënë bashkë me ju jashtëqitjet e veta dhe për të pirë shurrën e vet».
13Atëherë u ngrit kreu i fushimit të Asirisë, foli me zë të lartë në judaisht e tha: «Dëgjoni fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë! 14Kështu thotë mbreti: “Të mos ju gënjejë Ezekia, se nuk do t'ju shpëtojë dot nga dora ime. 15Mos e lejoni t'ju bëjë të shpresoni te Zoti, kur t'ju thotë se do të na shpëtojë patjetër Zoti dhe se ky qytet nuk ka për të rënë në duart e mbretit të Asirisë”. 16Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i Asirisë: “Bëni paqe me mua e dorëzohuni tek unë dhe secili do të hajë prej vreshtit të vet e prej fiqve të vet e do të pijë ujë prej pusit të vet, 17derisa të vij e t'ju çoj në një vend të ngjashëm me vendin tuaj, në një vend plot drithë e verë, në një tokë buke e vreshtash. 18Ezekia ju mashtron kur ju thotë se do t'ju shpëtojë Zoti. Cilin prej kombeve shpëtuan perënditë e tyre nga dora e mbretit të Asirisë? 19Ku janë perënditë e Hamatit e Arpadit? Ku janë perënditë e Sefarvaimit? A mos e shpëtuan Samarinë prej dorës sime? 20Kush nga tërë perënditë e këtyre vendeve e shpëtoi vendin e tyre nga dora ime, që ta shpëtuaka Zoti Jerusalemin nga duart e mia?”».
21Ata heshtën e nuk i kthyen asnjë përgjigje, se mbreti kishte urdhëruar të mos i përgjigjeshin. 22Eliakimi, biri i Hilkiahut, kujdestari i pallatit mbretëror, Shebnau, shkruesi, dhe Joahu, biri i Asafit, shkresari, u kthyen tek Ezekia, shqyen rrobat e i treguan fjalët e kreut të ushtrisë së Asirisë.
Currently Selected:
Isaia 36: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020