YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 35

35
Përtëritja e Sionit
1Le të gëzojë shkretëtira dhe toka e thatë,
le të ngazëllejë stepa e të lulëzojë si trëndafili.
2Le të lulëzojë ngado,
të gëzojë e të ngazëllejë!
Do t'i jepet lavdia e Libanit,
madhështia e Karmelit dhe e Sharonit.
Lavdinë e Zotit do të shohin,
madhështinë e Perëndisë tonë.
3Forcojini duart e stërmunduara,
jepuni forcë gjunjëve të këputura.
4Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra:
«Jini të fortë e frikë mos kini!
Ja, Perëndia juaj po vjen të marrë hak!
Po mbërrin shpagimi i Perëndisë!
Ai po vjen për t'ju shpëtuar!».
5Atëherë të verbërve do t'u çelen sytë,
të shurdhërve do t'u hapen veshët,
6i çali do të kërcejë si dreri,
gjuha e shurdhmemecit do të brohorasë,
se në shkretëtirë do të gëlojnë ujërat,
përrenjtë do të vërshojnë në tokë të thatë.
7Toka e shkrumbuar do të bëhet liqen,
vendi i thatë burim ujërash.
Në strofullin ku strukeshin çakejtë,
do të rritet kallami e xunkthi.
8Atje do të ketë një udhë të gjerë,
një udhë që do të quhet «Udha e Shenjtë»
dhe i papastri nëpër të s'do të kalojë.
Do të jetë vetëm për ata që udhës së drejtë ecin,
dhe të marrët s'kalojnë dot nëpër të.
9Luan atje s'do të ketë,
bishë grabitqare s'do të shkelë atje.
Jo, ato s'do të kalojnë nëpër të,
por do të kalojnë vetëm të shpenguarit.
10Do të kthehen të shpëtuarit prej Zotit,
në Sion do të vijnë me britma gëzimi,
ngazëllimi i përhershëm do t'ua çelë fytyrën,
do t'i pushtojë hareja e ngazëllimi,
trishtimi e psherëtima larg do të degdisen.

Currently Selected:

Isaia 35: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in