YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 28

28
Paralajmërim kundër Samarisë
1Mjerë kurora e lavdishme
e të dehurve të Efraimit,
lulja e vyshkur
e bukurisë së tij madhështore,
që rri mbi kryet e luginës pjellore,
të marrë mendsh prej verës.
2Ja, Zoti ka një njeri të fortë e të fuqishëm,
si stuhia e breshrit, si furtuna shkatërruese,
si vërshimi i ujit të furishëm e rrëmbyes,
me një dorë mbi tokë e përplas.
3Me këmbë do të shkelmohet
kurora e lavdishme e të dehurve të Efraimit.
4Lulja e vyshkur e bukurisë së tij madhështore,
që rri mbi kryet e luginës pjellore,
do të jetë porsi fiku i pjekur para vere,
që e sheh dikush, e këput me dorë
dhe e përlan.
5Atë ditë Zoti i ushtrive do të jetë kurora e lavdisë,
ai do të jetë diadema plot shkëlqim
për tepricën e popullit të tij.
6Do të jetë shpirti i drejtësisë për gjykatësin,
fuqia e atyre që e sprapsin sulmin te porta.
7Por, edhe këta janë trullosur prej verës,
prej pijes dehëse u merren këmbët.
Prifti e profeti janë trullosur prej pijes dehëse,
janë çoroditur prej verës.
Janë të trullosur prej pijes së fortë,
të përhumbur në vegime, të lëkundur në gjykime.
8Gjithë tryezat e tyre janë plot
me të vjella e ndyrësi;
vend më në to nuk ka.
9«Por kujt do t'ia mësonte urtinë?», pyesin.
«Kujt do t'ia shtjellonte lajmin?
Atyre që sapo janë zvjerdhur,
atyre që sapo u është hequr gjiri?
10Se paska urdhër pas urdhri,
urdhër pas urdhri,
e rregull pas rregulli,
rregull pas rregulli,
pak këtu e pak atje».
11Me buzë që belbëzojnë
e me gjuhë të huaj
këtij populli do t'i flasë.
12Ai vetë u kishte thënë:
«Ja ku do të gjeni prehje!
Vërini të lodhurit këtu të prehen,
këtu do të gjeni prehje».
Por ata s'deshën të dëgjonin.
13Por për ta fjala e Zotit ishte
urdhër pas urdhri,
urdhër pas urdhri,
e rregull pas rregulli,
rregull pas rregulli,
pak këtu e pak atje,
që të shkonin e të binin përmbys,
që të bëheshin copë e çikë,
t'i zinte laku e të kapeshin.
14Prandaj dëgjojeni fjalën e Zotit, o njerëz shpotitës,
ju, që mbi popullin tim sundoni në Jerusalem.
15«Kemi bërë besëlidhje me vdekjen», thoni,
«Me skëterrën kemi bërë marrëveshje,
që kur të vijë përmbytja e madhe,
të mos na prekë aspak,
se për strehë kemi gënjeshtrën,
mashtrimin, vendstrehim».
16Prandaj kështu thotë Zoti Perëndi:
Ja, në Sion do të vë një gur,
gur të sprovuar, gur qosheje,
gur të çmuar, gur themeli.
E kush të besojë në të,
nuk ka pse ngutet.
17Të drejtën do ta bëj matës,
drejtësinë plumbç.
Por strehën e gënjeshtrës do ta rrënojë breshri,
vendstrehimin do ta përmbytin ujërat.
18Besëlidhja juaj me vdekjen do të zhvlerësohet,
marrëveshja juaj me skëterrën s'do të qëndrojë.
Kur të kalojë rrebeshi përmbytës,
keni për t'u shkelur prej tij.
19Sa të kalojë,
para do t'ju marrë,
do të kalojë çdo mëngjes,
do të kalojë ditë e natë.
Vetëm tmerri do ta përhapë lajmin.
20Tepër i shkurtër do të jetë shtrati
për t'u shtrirë,
tepër e ngushtë mbulesa
për t'u mbuluar.
21 Zoti do të ngrihet si në malin e Peracimit,
zemërimi i tij do të ndizet si në luginën e Gibeonit,
për të kryer veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar,
për të bërë punën e tij, punën e tij të pazakontë.
22E tani reshtni së përqeshuri,
që të mos ua shtrëngojnë më fort prangat,
se kam dëgjuar prej Zotit, Zotit të ushtrive,
urdhrin e shkatërrimit të mbarë vendit.
23Mbani vesh e dëgjojeni zërin tim,
dëgjojeni me kujdes fjalën time.
24A lëron çdo ditë bujku për të mbjellë?
A e plugon dhe e prashit çdo ditë arën?
25Pasi ia rrafshon sipërfaqen,
a nuk mbjell ai kopër,
a nuk hedh farën e kuminit?
A nuk e mbjell nëpër vija
farën e grurit e të elbit,
thekrën anëve të arës?
26Perëndia e udhëzon atë,
ai ia mëson udhën e drejtë.
27Kopra nuk shihet me shirëse,
kumini nuk shtypet me rrotë qerreje,
por kopra rrihet me thupër
e kumini me shkop.
28Gruri bluhet, por jo tërë kohën,
edhe pse e shijnë mirë e mirë.
Kalon mbi të rrota e qerres,
por thundra e kalit s'e thërrmon.
29Edhe kjo vjen prej Zotit të ushtrive,
që jep këshilla të mrekullueshme,
që ka dije madhështore.

Currently Selected:

Isaia 28: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in