Zanafilla 38
38
Juda dhe Tamara
1Në atë kohë Juda u largua nga vëllezërit e banoi pranë Hirahut, një burrë nga Adulamia. 2Aty, Juda pa bijën e një kananiti që quhej Shua. E mori e fjeti me të. 3Ajo mbeti shtatzënë e lindi një djalë që ai e quajti Er. 4Ajo mbeti përsëri shtatzënë e lindi një djalë që e quajti Onan. 5Ajo lindi edhe një djalë tjetër që e quajti Shelah. Kur ndodhi kjo, Juda ishte në Kezib. 6Juda i gjeti një grua Erit, të parëlindurit. Ajo quhej Tamarë. 7Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i lig para Zotit dhe Zoti e vrau. 8Atëherë Juda i tha Onanit: «Fli me gruan e tët vëllai e martohu me të, si kunat që je, që ta mbash gjallë farën e vëllait tënd». 9Por Onani e dinte që fëmijët nuk do të njiheshin si të tijtë, prandaj sa herë që flinte me gruan e të vëllait e derdhte farën përtokë, që të mos e mbante gjallë farën e të vëllait. 10Kjo gjë ishte e ligë para Zotit, prandaj Zoti e vrau edhe Onanin. 11Atëherë Juda i tha Tamarës, të resë: «Rri si vejushë në shtëpinë e atit tënd derisa të rritet im bir, Shelahu». Sepse kishte frikë se edhe ky do t'i vdiste si të tjerët. Kështu, Tamara shkoi e jetoi në shtëpinë e të atit.
12Pas një kohe të gjatë, vdiq gruaja e Judës, bija e Shuaut. Kur mbaruan ditët e zisë, Juda bashkë me mikun e tij, Hirahun nga Adulamia, shkuan në Timnah te qethësit e dhenve. 13Tamarën e lajmëruan që vjehrri i saj po shkonte në Timnah për të qethur dhentë. 14Ajo hoqi rrobat e vejërisë, u mbulua me një vel, u mbështoll e tëra dhe u ul në hyrje të Enaimit që ishte rrugës për në Timnah. E bëri këtë, sepse kishte parë që Shelahu ishte rritur, por nuk ia kishin dhënë për burrë. 15Juda e pa dhe e kujtoi për lavire, se ajo e kishte fytyrën të mbuluar. 16Ai iu afrua buzë rrugës e i tha: «Eja të flemë bashkë!», sepse nuk e dinte se ishte e reja e tij. Ajo i tha: «Çfarë do të më japësh që të flesh me mua?». 17Ai iu përgjigj: «Do të të çoj një kec nga kopeja». Ajo tha: «Vetëm nëse më jep një peng derisa të ma dërgosh». 18Ai i tha: «Çfarë pengu do që të të jap?». Ajo i tha: «Vulën, varësen dhe shkopin që ke në dorë». Ai ia dha. Fjeti me të e ajo mbeti shtatzënë. 19Pastaj Tamara u ngrit e u largua. Hoqi velin e veshi rrobat e vejërisë.
20Juda ia çoi kecin përmes mikut nga Adulamia që t'i merrte pengun, por ai nuk e gjeti. 21I pyeti vendasit: «Ku është lavirja e kultit që rrinte në Enaim, pranë rrugës?». Ata i thanë: «Këtu nuk ka pasur lavire kulti». 22Pastaj u kthye te Juda e i tha: «Nuk e gjeta dhe vendasit më thanë se aty nuk ka pasur lavire kulti». 23Atëherë Juda tha: «Le ta mbajë pengun, përndryshe do të bëhemi gazi i botës. Ja, unë ia çova kecin, por ti nuk e gjete».
24Pas tre muajsh e lajmëruan Judën e i thanë: «Tamara, e reja jote, është bërë lavire e ka mbetur shtatzënë». Atëherë Juda tha: «Nxirreni jashtë e digjeni!». 25Kur po e nxirrnin jashtë, ajo dërgoi njerëz te i vjehrri për t'i thënë: «Burri, të cilit i përkasin këto, më la me barrë. Shiko mirë! E kujt është kjo vulë, kjo varëse e ky shkop?». 26Juda i njohu e tha: «Tamara është më e drejtë se unë, sepse nuk i dhashë Shelahun, tim bir». Ai nuk fjeti më me të.
27Kur erdhi koha për të lindur, ajo lindi binjakë. 28Gjatë lindjes njëri nga binjakët nxori dorën. Mamia ia kapi dorën dhe i lidhi një fije të kuqe e tha: «Ky doli i pari». 29Por sapo ky e tërhoqi brenda dorën, doli i vëllai. Atëherë ajo tha: «Si çave përpara ti!». Prandaj u quajt Perec. 30Pastaj doli i vëllai, në dorën e të cilit ishte fija e kuqe. Ky u quajt Zerah.
Currently Selected:
Zanafilla 38: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020